Gjirokastër, aktivitete për Ditën e Çlirimit

TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Në kuadër të 29 Nëntorit, Festës së Çlirimit, në qytetin e Gjirokastrës janë zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve.

Të pranishëm kanë qenë drejtues të institucioneve publike, pushtetit vendor, veteranë, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, etj.

Pjesëmarrësit kanë vendosur kurora dhe buqeta me lule, ndërsa janë përulur me nderim dhe respekt përpara kujtimit të të rënëve.

“Në 77-vjetorin e Çlirimit vlerësojmë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit tonë kundër okupatorëve të huaj. Djemtë dhe vajzat e Gjirokastrës u bënë pjesë e formacioneve partizane pa dallim feje, krahine dhe ideje, duke dhënë edhe jetën në emër të lirisë. Lufta Nacionalçlirimtare shënon një prej faqeve të ndritura të historisë, kur vendi ynë u rreshtua në krahun e Koalicionit Botëror Antifashist. Sakrifica e dëshmorëve për një Atdhe të lirë është përmbushur, idealet e tyre vazhdojnë të mëkojnë brezat e rinj në rrugën e prosperitetit dhe zhvillimit të vendit”, u shpreh në këto homazhe, kryetari i Bashkisë Flamur Golemi.

Po ashtu, prefekti Odise Kote dhe kryetarja e Këshillit të Qarkut, Lindita Rova vlerësuan kontributin e trevës së Gjirokastrës në rezistencën antifashiste.

Për kryetarin e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Tomor Hoxha, ideali i heronjve dhe dëshmorëve për një Shqipëri të lirë është përmbushur, por vlerat e  Luftës Antifashiste duhet të transmetohen tek brezat e rinj.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.