TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Presidenti i Republikës organizon hedhjen e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) në 3 dhjetor, ora 11:00.
Në njoftimin për caktimin e datës për organizimin e procedurës për hedhjen e shortit nga Presidenti i Republikës, për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) që do të funksionojë përgjatë vitit 2022 Presidenti i Republikës thekson se, “rregullat e hollësishme për hedhjen e shortit janë të miratuara me Vendim nr. 404, datë 25.11.2019, të Presidentit të Republikës, “Për përcaktimin e procedurës dhe rregullave të hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.
“Në zbatim të nenit 221, të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kanë dërguar në Institucionin e Presidentit të Republikës listat me emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët sipas këtyre organeve plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj, për t’u përfshirë në shortin që do të hidhet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, thuhet në njoftim.
“Institucioni i Presidentit të Republikës, do të jetë në komunikim zyrtar të vazhdueshëm me institucionet respektive për administrimin e informacionit të azhornuar për të garantuar që, në momentin e hedhjes së shortit në datë 3 dhjetor 2021, ora 11:00, sipas ligjit, të përfshihen në short për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ata magjistratë (gjyqtarë dhe prokurorë) dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, plotësojnë kushtet e parashikuara në Kushtetutë dhe në ligj”, thekson Presidenca.
Institucioni i Presidentit të Republikës njofton publikisht dhe zyrtarisht Avokatin e Popullit, për të qenë i pranishëm si vëzhgues i të gjithë procedurës së hedhjes së shortit.
Presidenti i Republikës fton Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të jenë të pranishëm në momentin e hedhjes së shortit përmes një përfaqësuesi të caktuar prej tyre.
“Procedura e hedhjes së shortit do të jetë publike dhe do të transmetohet live përmes mjeteve të informimit publik, medieve televizive, medieve online etj.”, thekson Presidenca.
Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se ka parashikuar që, momenti i hedhjes së shortit të ketë mbulimin e nevojshëm mediatik, si dhe ka marrë të gjitha masat që ky proces t’i nënshtrohet plotësisht parimeve të transparencës, gjurmueshmërisë dhe monitorimit, dhe të bëhet e mundur transmetimi e ndjekja drejtpërdrejt dhe në kohë reale, në mënyrë që ky proces i hedhjes së shortit të ndiqet nga të gjithë institucionet, subjektet e interesuara dhe publiku.
“Në faqen zyrtare të internetit të Institucionit të Presidentit të Republikës, në Rubrikën – Hedhja e shortit për KED – Shorti KED 2022, do të gjeni të publikuara: Vendim nr. 419, datë 24.11.2021 i Presidentit të Republikës “Për caktimin e datës për organizimin e procedurës për hedhjen e shortit nga Presidenti i Republikës, për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që do të funksionojë përgjatë vitit 2022. Listat paraprake të kandidatëve të dërguara nga Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë; Rregullore për përcaktimin e procedurës për hedhjen e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të KED-së, miratuar me Vendimin nr. 404, datë 25.11.2019, të Presidentit të Republikës. Duke vlerësuar transparencën si parimin themelor të veprimtarisë së Institucionit të Presidentit të Republikës, kjo rubrikë do të përditësohet në kohë reale me informacionin dhe dokumentacionin që Institucioni i Presidentit të Republikës, do të kërkojë apo do të administrojë në lidhje me të gjithë procesin. https://president.al/hedhja-e-shortit-per-ked/”, thuhet në njoftim.
/r.e/






















