Fushata kundër dhunës ndaj grave, Manastirliu: Edukimi, arma më e fortë

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Në prag të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bashkë me partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile, kanë nisur fushatën e ndërgjegjësimit kundër dhunës ndaj grave.

Në ditën e parë të turit lëvizës me autobus, ministrja Ogerta Manastirliu, së bashku me përfaqësues nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara, përfaqësues të shoqërisë civile dhe studentë u ndalën në Kamzë.

“Duhet të bëjmë më shumë për të rritur ndërgjegjësimin. Ajo çfarë kërkohet është të shkojmë në çdo shtëpi, të shkojmë te çdo grua, që të ndjejnë se nuk janë vetëm. Unë besoj fort që edukimi është arma me të cilën ne mund t’i luftojmë këto fenomene. Ndryshimi fillon nga brezi i ri. Fillon nga të rinjtë tanë, fillon nga fëmijët, nga edukimi i tyre”, theksoi Manastirliu gjatë një aktiviteti ndërgjegjësues të organizuar në gjimnazin “Ibrahim Rrugova”, ku i pranishëm ishte edhe kreu i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli.

Manastirliu tha se të gjitha institucionet e shtetit janë në këmbë.

“Të gjitha institucionet e shtetit janë në këmbë, që nga shkolla, Policia e Shtetit,  institucionet të cilat janë përgjegjëse direkt për ofrimin e shërbimeve, qendrat sociale në territor, shërbimet sociale në bashki, edhe shërbimet sociale në nivel kombëtar,  institucionet e kujdesit shëndetësor. Të gjithë ato mekanizma bëjnë të mundur që këto fenomene të parandalohen, trajtohen, të kurohen në kohë, por edhe për t’i dhënë mundësi të gjithë viktimave të dhunës, të mund të riintegrohen dhe riintegrimi ka lidhje me fuqizimin”, tha Manastirliu.

Kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli në fjalën e tij u shpreh kjo fushatë duhet të vazhdojë 365 ditë.

“Nëse ne nuk e denoncojmë dhunën, nëse ne pajtohemi me dhunën, është shumë vonë pastaj për të vazhduar më pas kurimin e saj”, tha Suli.

Fushata ndërkombëtare kundër dhunës me bazë gjinore zhvillohet nga datat 25 nëntor-10 dhjetor. Slogani mbarëkombëtar në këto ditë të fushatës është: “Bëje botën portokalli: Të ndalim dhunën ndaj grave, tani”.

Janë 250 aktivitete të cilat do të zhvillohen nga MSHMS së bashku me përfaqësues të shoqërisë civile, me të gjithë organizatat dhe institucionet. Njësia lëvizëse do të jetë kudo nëpër Shqipëri në këto 16 ditë të fushatës kundër dhunës me bazë gjinore.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.