Ballina Ekonomi

Ibrahimaj: 2.5 miliardë lekë për kompensimin e ish-pronarëve

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Vetëm 2.5 miliardë lekë, nga 3 miliardë lekë të planifikuara në buxhet parashikohet të shpërndahen deri në fund të vitit për kompensimin e ish-pronarëve.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot gjatë diskutimit nen për nen të projektbuxhetit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, se shpërndarja e këtij fondi ka vështirësi në përthithje.

Ministrja tha se për këtë arsye edhe fondi i parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2022 do të pakësohet me 500 milionë lekë, duke shkuar në 4.5 miliardë lekë nga 5 miliardë lekë që planifikohej.

“Arsyeja pse vendosëm të prekim këtë fond, me gjithë vullnetin tonë për t’i kompensuar e kryer pagesat ka vështirësi në përthithje. Do të jetë e vështirë që fondi prej 5 miliardë lekësh të disbursohet i tëri”, deklaroi ministrja.

Ndërkohë opozita kërkoi që fondi për kompensimin e ish-pronarëve të shtohet e jo të pakësohet.

Propozimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë shqyrtohet sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave që është edhe komisioni përgjegjës, për t’u votuar të enjten në seancën plenare për miratimin nen për nen të projektbuxhetit për vitin 2022.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDyfishim i ndihmës ekonomike për rreth 150 mijë familje me mbi 3 fëmijë
Artikulli tjetërBllok i ri banimi për familjet që humbën shtëpitë në Manzë të Durrësit