Ballina Ekonomi

Ibrahimaj: Mbështetja direkte për fermerin 3.2 miliardë lekë

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave po vijon debatin nen për nen për projektbuxhetin dhe paketën fiskale që do të shoqërojë atë përgjatë vitit 2022.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se rekomandimet për heqjen e lehtësive fiskale kanë ardhur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pasi nxitja e sektorëve të veçantë duhet të vijë përmes subvencioneve.

Për ndryshimet në projektligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” që heq TVSH e kreditueshme 6 %, Ibrahimaj tha se do të zëvendësohet me skema nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

“Si me rastin e heqjes të kompensimit të TVSH 6 % apo në rastin e TVSH për inputet bujqësore, e gjithë vlera që mblidhej nga administrata tatimore apo doganore nga këto përjashtime i është kaluar Ministrisë të Bujqësisë për të nxitur prodhuesit dhe fermerët”, tha ministrja.

Sipas Ibrahimaj, fermeri do të mbështet direkt dhe fondi i parashikuar në total për vitin 2022 është 3.2 miliardë lekë.

“Sa i përket mbështetjes së fermerëve, në buxhetin e paraqitur, mbështetja për subvencionet e fermerëve shkon në 3.2 miliardë, nga 1.7 miliardë që ishte këtë vit, pra është gati dyfishuar”, vuri në dukje ministrja.

Projektligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, përjashton nga TVSH për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë, nga 50 milionë lekë që është aktualisht.

Ministrja Ibrahimaj tha se kjo masë mbështet investitorë të rëndësishëm për ekonominë.
“Nuk ka biznese të vogla dhe të mesme që kryejnë importe me vlerë 50 milionë lekë. 50 milionë lekë është një shumë që i përket investimeve që kryejnë bizneset e mëdha. Arsyeja pse u vu më herët ky përjashtim ishte pasi bizneset nuk merrnin rimbursimin nga paaftësia paguese e administratës tatimore, një proces që nuk është më i tillë. Sot administrata tatimore nuk ka asnjë vlerë TVSH-je. Nga 1 janari procesi është automatik dhe çdo biznes do të marrë të gjithë shumën e TVSH për investimin. Përjashtimi për investimet mbi 500 milionë lekë mbështet investitorë të rëndësishëm për ekonominë. Nga përjashtimi mbi 50 milionë lekë janë vetëm 500 përfitues gjatë vitit të kaluar dhe nuk bëhet fjalë për një masë që ka patur zbatim të gjerë“, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj informoi se është duke u hartuar strategjia afatmesme e mbledhjes të të ardhurave, ku parashikohet heqja e të gjitha përjashtimeve që janë miratuar ndër vite.

Ndryshimet sipas ministres Ibrahimaj nuk bëhen për rritjen e të ardhurave, por të mbyllur rrugët e abuzimit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Merkel: Masat ende të pamjaftueshme për t’u përballur me gravitetin e pandemisë
Artikulli tjetërTirana shndërrohet në qendrën e inovacionit të Ballkanit Perëndimor