Ballina Bota

SHBA – Biden: Mezi pres të festoj ”58-vjetorin”!

UASHINGTON, 20 nëntor /ATSH-ANSA/ – Ndihem shkëlqyeshëm, nuk ka ndryshuar asgjë, jam në formë shumë të mirë dhe mezi po pres të festoj ditëlindjen time të 58-të, deklaroi  me shaka presidenti amerikan, Joe Biden duke përdorur tone optimiste pasi doli nga spitali ”Walter Reed”, pas një kontrolli shëndetësor rutinë.

Biden ia kaloi dje përkohësisht pushtetin zëvendëspresidentes Kamala Harris, ndërsa u vu nën anestezi për një kolonoskopi rutinë, njoftoi sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, sipas CNN.

”Gruaja e parë me ngjyrë në vend… do të punojë nga zyra e saj në West Wing, ndërsa Biden do të jetë nën anestezi”, tha Psaki në deklaratën për shtyp.

Biden, i cili mbush sot 79 vjeç, mbërriti dje në mëngjes në qendrën mjekësore ”Walter Reed” për t’iu nënshtruar kontrollit të parë rutinë që prej marrjes së detyrës.

Marrja e pushtetit presidencial nga një zëvendëspresident, ndërsa presidenti i nënshtrohet një procedure mjekësore që kërkon anestezi është një proces rutinë.

Zëvendëspresidenti i atëhershëm Dick Cheney e bëri këtë në shumë raste kur presidenti i atëhershëm George W. Bush iu nënshtrua kolonoskopive rutinë.

Seksioni 3 i Amendamentit të 25-të të Kushtetutës së SHBA-së thotë se, presidenti mund t’i dërgojë një letër kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe presidentit të përkohshëm të  Senatit duke deklaruar se nuk është në gjendje të kryejë kompetencat dhe detyrat e zyrës së tij, dhe derisa t’u dërgojë atyre një deklaratë me shkrim për të kundërtën, këto kompetenca dhe detyra do të kryhen nga zëvendëspresidenti si ushtrues i detyrës së presidentit./ /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPërkujtohet në 155-vjetorin e lindjes poeti rilindas Ndre Mjeda
Artikulli tjetërMaja e Murgës, 7 mijë turistë shijuan mrekullinë mbi liqenin e Komanit