TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i bashkisë, Armando Subashi, panë sot nga afër procesin e mbjelljes së pemëve në ish-fushën e mbetjeve në Fier, e cila po shndërrohet në një park me pemë akacieje dhe eukalipte.
Në fjalën e tij, Balla ka thumbuar dhe opozitën, e cila sipas tij, i ka qejf mbetjet dhe nuk ndahet dot nga ato.
“I kemi ndarë punët, ne duhet ta pastrojmë Shqipërinë nga mbetjet, humbësit i kanë fiksim dhe nuk ndahen dot nga ato. Madje edhe kur i pastrojmë, ankohen pse po i heqim, lërini aty thonë”, tha Balla.
Sipas Ballës, vetëm pak muaj më parë e gjithë Shqipëria i kishte sytë nga Fieri për shkak të flakëve që përfshinë fushën e mbetjeve.
“Vetëm pak muaj më parë e gjithë Shqipëria i kishte sytë nga Fieri për shkak të flakëve që përfshinë fushën e mbetjeve, ku për shkaqe që nuk unë nuk do t’i quaja natyrore, por ndoshta dhe ndonjë dorë kriminale, u bë pjesë e një ndezjeje të qëllimshme të plehrave të akumuluara prej 70 vitesh këtu në ish-fushën e mbetjeve të Fierit”, tha ai.
Balla tha se “sot jemi në kushtet e një kodrine të vogël, e cila shumë shpejt do të jetë një destinacion për fëmijët dhe moshat e treta”.
“Duhet të gjejmë një mënyrë për të ndërtuar dhe një kënd lojërash, në mënyrë që ky pyll që po lind në ish-fushën e mbetjeve të jetë një destinacion, pasi dhe pozicioni që ka është i favorshëm”, deklaroi Balla.
Gjithashtu, Balla i bëri dhe një apel bizneseve të Fierit që të marrin nga një sektor të pyllit që po lind dhe ta mbajnë nën përkujdesje edhe në investimet që duhet të krijojnë aty.
“Çlirimi i qytetit të Fierit nga ndotja që vinte nga tymi dhe ajri i ndotur i fushës së mbetjeve, mund të quhet si një çlirim i dytë i Fierit”, tha Balla.
/m.m/j.p/r.e/























