Ballina Flash

Trajtim me pagë dhe shtesa mbi pagë për punonjësit e Gardës

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Këshilli i Ministrave mori sot vendim për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë për punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë.

Në këtë vendim thuhet se, paga mujore për gradë përfaqëson nivelin e pagës së punonjësit, në përputhje me gradën që ka fituar brenda rolit përkatës.

Në këtë vendim përfshihen edhe shtesa mujore për natyrë të veçantë pune për punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë dhe shtesa mujore mbi pagë për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin.

Gjithashtu në vendim thuhet se, shtesa mujore mbi pagë për vjetërsi shërbimi është shtesa që përfiton punonjësi i Gardës së Republikës së Shqipërisë për çdo vit shërbimi. Kjo shtesë aplikohet në përqindje mbi pagën për gradë të gradës “Inspektor” dhe jepet në masën 1 % për çdo vit, por jo më shumë se 25 vjet.

Për efekt të llogaritjes së shtesës mujore mbi pagë për vjetërsi shërbimi vite shërbimi do të konsiderohen vitet e qëndrimit në gradë, të dokumentuara në librezën e punës së çdo punonjësi në strukturat e Gardës së Republikës së Shqipërisë, Policisë së Shtetit, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Forcave të Armatosura, Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Policisë së Burgjeve, si dhe në strukturat e Shërbimit Informativ të Shtetit.

Vitet që përjashtohen nga llogaritja e vjetërsisë në shërbim për efekt pagese janë vitet e sigurimit vullnetar, të vetëpunësimit, vitet e punës si punonjës pa grada, vitet e shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit ushtarak të Ministrisë së Brendshme e të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe periudhat e trajtimit me pagesë papunësie apo pagesë kalimtare.

Punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë, të cilët deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi përfitonin pagë mujore më të lartë se ajo e përcaktuar në këtë vendim, do të përfitojnë “ruajtje page”, por jo më shumë se dy vjet nga data e fillimit të zbatimit të këtij vendimi.

Masa e “ruajtjes së pagës”, do të jetë e barabartë me diferencën e pagës mujore që punonjësi përfitonte përpara miratimit të këtij vendimi me pagën mujore sipas përcaktimit të këtij vendimi. Kjo shtesë rillogaritet në çdo rast kur bëhen ndryshimet për pagat për gradë, sipas strukturës dhe organikës së miratuar.

Vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 551, datë 15.7.2020, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë për punonjësit, oficerë dhe nënoficerë, të Gardës së Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe nr. 639, datë 29.7.2020, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve, oficerë dhe nënoficerë, të Gardës së Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohen.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 dhjetor 2021.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRomancieri grek Christos Chomenidis nderohet me Çmimin Evropian të Librit
Artikulli tjetërPjesëmarrja e qytetarëve, thelbësore dhe jetike për sistemin demokratik