TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Plot 180 pemë frashër u mbollën në Tiranë në përpjekje për ta bërë qytetin më të gjelbëruar. Pemët u dhuruan nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), BE dhe Austria, në kuadër të Programit për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër të Ballkanit Perëndimor (GEFF), i cili mbështet individët që investojnë në masa të eficiencës së energjisë.
Për të shënuar rezultatet e programit GEFF dhe për të kontribuar në mënyrë simbolike në luftën kundër ndryshimeve klimatike, BERZH, BE dhe Austria do të mbjellin 1000 pemë në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor gjatë muajit nëntor 2021 – Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë Veriore dhe në Serbi. Pemët janë gjithashtu vlerësimi i BERZH-it për 18 institucionet financiare partnere më aktive dhe për 32 prodhues dhe tregtarë të teknologjive eficiente ndaj energjisë, për kontributin e tyre në suksesin e programit GEFF në Ballkanin Perëndimor.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u shpreh se “jam shumë i lumtur që jemi mbledhur sot për të mbjellë 180 pemë të tjera. Është një hap para drejt objektivit tonë prej 2 milionë pemë në Parkun Orbital. Një park që jo vetëm do të shtojë oksigjen në mushkëritë e Tiranës, por edhe do të ndalojë përhapjen formale dhe informale të ndërtimeve duke mbrojtur peizazhin bujqësor dhe monumentet natyrore që rrethojnë Tiranën me këtë brez të gjelbër, i cili do të shërbejë si kufi për zhvillimin e mëtejshëm horizontal të Tiranës. I jam shumë mirënjohës BERZH, BE, Austria dhe Green Line Albania që na u bashkuan në këtë iniciativë. Është ndoshta dhurata apo kontributi më i mirë që dikush mund t’i dhurojë kryeqytetit tonë, Tiranës”.
Ekaterina Solovova, drejtoreshë e BERZH në Shqipëri, deklaroi se, “përmirësimi i eficiencës së energjisë çon në konsum dhe fatura më të ulëta të energjisë dhe në përgjithësi cilësi më të mirë të jetesës dhe ne jemi të kënaqur që familjet në Shqipëri kanë qenë në gjendje t’i ndiejnë këto përfitime falë programit tonë GEFF”.
“Ndryshimi i klimës është sfida e kohës sonë. BE-ja po merr një rol udhëheqës në trajtimin e kësaj çështjeje dhe programe të tilla si GEFF pasqyrojnë përpjekjet e BE-së për të ndihmuar Shqipërinë të reduktojë emetimet e saj duke promovuar zgjidhje efikase për energjinë në banesa. Ne inkurajojmë fuqimisht Shqipërinë që të përfitojë nga ky program pasi ne të gjithë duhet të punojmë drejt mbrojtjes së natyrës dhe sigurimit të një të ardhmeje për brezat e ardhshëm”, vuri në dukje Andrea Vera, shefi i sektorit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri.
Nga ana tjetër, Christian Steiner, ambasadori i Austrisë në Shqipëri, shtoi se, “Austria ka një traditë të gjatë të aplikimit të teknologjive të kursimit të energjisë, duke përfshirë izolimin e shtëpive. Eficienca e energjisë është një burim i fuqishëm për t’u shfrytëzuar dhe kërkon një angazhim kolektiv për ta realizuar atë. Së bashku me BE-në dhe BERZH-in, Austria ka qenë një nga promovuesit kryesorë të programit GEFF në Ballkanin Perëndimor që nga fillimi i tij, me mbi 5 milionë euro të angazhuara për programin deri më sot. Jemi të kënaqur që programi ka arritur tashmë rezultate të shkëlqyera dhe u ka mundësuar kaq shumë njerëzve në Shqipëri dhe më gjerë në rajon të përmirësojnë efikasitetin energjetik të shtëpive të tyre.”
Individët që dëshirojnë të përmirësojnë eficiencën energjetike të shtëpive të tyre mund të aplikojnë për kredi të dedikuara nëpërmjet bankave partnere. Pas përfundimit me sukses të investimit, individët do të marrin grant të financuar nga BE në vlerën deri në 20 për qind të shumës së kredisë, gjë që i bën këto investime më të përballueshme për individët.
/a.a/r.e/


















