Ballina Flash

Basha në Kuvend: Këtu gjithçka është antikushtetuese

TIRANË 16 nëntor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi sot në Kuvend, ndërsa mbahej seanca e shqyrtimit të projektbuxhetit 2022, ndaj komenteve të Ballës për zbatimin e rregullores së Kuvendit.

Duke replikuar me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, pasi ky i fundit kërkoi që deputetja Grida Duma të zbatojë rregulloren, Basha u shpreh se “kodi i sjelljes së deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është një harxhim kriminal i parave dhe taksapaguesve të OSBE-së, këtë ia kam thënë ambasadorit paraardhës dhe ia them dhe këtij të riut që ka ardhur”.

Basha deklaroi se në këtë Kuvend ka kriminelë.

“Pse është një harxhim kriminal parash, sepse kjo nuk është gjë tjetër veçse një koperturë që ju doni të hidhni mbi një Kuvend, i cili ka një problem, ka një problem që ka ekzistuar dhe para 2013-ës, por që ka marrë dimensione botërore pas 2013-ës. Këtu në këtë Kuvend ka kriminelë, këtu tani që flasim ka anëtarë të krimit të organizuar në kartelat e sistemit të inteligjencës së Policisë së Shtetit. Në kartelat e Europolit, në kartelat e Interpolit, në kartelat e FBI-së, në kartelat e DEA-s, janë kriminelë të ulur këtu. Ka dhe bedelë të organizatave kriminale në kuptimin e Konventës së Palermos, jo më në kuptimin e retorikës politike. Të atyre që quhen grupe të strukturuara kriminale, edhe sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Dhe mbi të gjitha, këtu mbrapa, ulet dikush i cili ka përdorur fyerjet më të rënda, gjuhën më të ulët që njeh fjalori shqiptar, në veçanti ndaj zonjave në këtë parlament, tash 8 vite. Tash 8 vite pa i hyrë gjemb në këmbë. Ndaj, nëse do të kishte një proporcionalitet, e para dhe kryesorja që s’mund të ikni ju dhe të na bëni ne këtu moral për kodin e sjelljes së deputetit, është të kaloni vetingun në politikë, të pastroni sallën nga kriminelët dhe politikanët me kontakte të papërshtatshme”, shprehet ai.

Basha deklaroi se siç, “kemi votuar të pastrojmë gjyqësorin, pastroni sallën këtu”.

“Kjo është e para, deri në atë moment më shumë vlen letra e banjos në tualetet e Kuvendit, sesa kjo këtu. Mos na e tundni këtë këtu. Kjo është e para. Dhe e dyta, kur të filloni me sanksione, në qoftë se nuk zbatoni proporcionalitetin e sanksioneve i bie që për aq kohë sa i ka mbetur, dhe të jeni të sigurt që do të punojmë çdo ditë t’ia shkurtojmë orët, ai këtu nuk duhet të vijë fare me ato që ka nxjerr nga goja këtë legjislaturë dhe legjislaturat e tjera, prandaj matini dhe një herë fjalët, mos na e tundni këtë, mos e tundni litarin në shpinën e të varurit se po vareni nga plepat e gjithë Shqipërisë si parti e kriminalizuar në palcë”, tha ai.

Duke folur sërish në Kuvend me Kushtetutë në dorë, Basha tha se kjo është vërtetë Kushtetuta e Shqipërisë, por gjithçka tjetër këtu është jo vetëm pa lidhje me këtë kushtetutë, por është antikushtetuese.

“Kjo është me të vërtetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por gjithçka tjetër këtu është jo vetëm pa lidhje me këtë kushtetutë, por është antikushtetuese. Dhe ne nuk jemi këtu si garnitura e një skote antikushtetuese të ardhur me paratë e krimit, me bandat, me blerjen e votës me shpërdorimin e parave të tërmetit me keqpërdorimin e fatkeqësisë me shkatërrimin e fshehtësisë dhe lirisë së votës dhe këto janë citime të raportit të OSBE-ODIHR-it. Ne kemi ardhur këto të bëjmë gjithçka për ta çliruar Shqipërinë nga kjo skotë. Me gjithë respektin që kam për ato të paktë mes jush që nuk kanë lidhje me masakrën zgjedhore të 25 Prillit”, tha ai.

Në vijim Basha tha se kur e merr këtë në dorë kujdes, sepse të paketa janë faqet ku nuk janë shkruar rregulla që i keni dhunuar me vetëdije.

“Keni dhunuar edhe ndryshimet e njëanshme antikushtetuese që keni bërë më 30 korrik, vetëm për ta mbajtur pushtetin me dhunë më 25 Prill. Këtu është edhe parashikimi kushtetues që keni shkelur jo më pak se 2 javë më parë kur ndaluat komisionin hetimor Beccheti., ndonëse keni 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese. Ju nuk pyesni për Kushtetutë, ju nuk pyesni për Gjykatë Kushtetuese, ju nuk pyesni për ligj, ju s’pyesni për njerzillëk, ju s’pyesni për njerëzit, ju s’pyesni për hallet e tyre. Ju keni vetëm hallin tuaj dhe për hallin tuaj jeni gati t’i veni flakën këtij parlamenti dhe Shqipërisë. Nuk do ua lejojmë dhe do të digjeni vetë në flakën që keni ndezur”, tha Basha.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMbi 534 mijë tonë karburante të importuara
Artikulli tjetërBalla: Buxheti 2022 i drejtësisë sociale, rimëkëmbje ekonomisë