TIRANË, 15 nëntor /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot në fjalën e saj gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2022 se, 500 milionë lekë do vihen në dispozicion të bashkive për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
“Krahas punës në terren të nisur tashmë nga veriu në jug për zbatimin e Planit të Pastrimit Kombëtar, buxheti i vitit që vjen parashikon ndërhyrje të posaçme për të mbështetur financiarisht këtë problem serioz që lidhet drejtpërdrejt me mbështetjen që u jepet bashkive, të cilat ndërtojnë një sistem të menaxhimit të integruar të mbetjeve sipas standardeve të vendosura nga ligji dhe nga Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve. 500 milionë lekë do vihen në dispozicion të tyre këtë vit”, tha Kumbaro.
“Turizmi, që është një nga sektorët në rritje të ekonomisë tonë dhe që ia doli të rimarrë veten pas vitit fatkeq 2020 përtej pritshmërive tona. Ky sektor është edhe një kërcënim për mjedisin nëse nuk menaxhohet dhe nuk marrim masat në kohë. Deri në shtator të 2019 kemi regjistruar 5.460.000 turistë, ndërsa në 2020-ën, në të njëjtën periudhë, 2 milionë e 100 mijë dhe jemi deri në tetor të këtij viti në 5 milionë e 177 mijë turistë. Në javën e parë të nëntorit janë regjistruar nga data 1-7 nëntor mbi 60 mijë vizitorë të huaj në territor. Turizmi vazhdon, Gjirokastra në fundjavë nuk ka më hotele”, theksoi Kumbaro.
Ajo shtoi se, “problemi më i madh janë bashkitë e bregdetit, sepse në disa prej tyre në sezonin veror 10-fishohet popullsia. Bashkë për këtë qeveria ka vlerësuar të ndërhyjë me mjete shtesë përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit në bashkitë më të populluara gjatë sezonit veror, jo vetëm për të rritur cilësinë e shërbimit, po sidomos për të mbrojtur mjedisin dhe shëndetin e banorëve dhe turistëve”.
“Tre projekte rikualifikimi do të zbatohen në vazhdim të shërbimeve turistike, por edhe të mbrojtjes së mjedisit, të cilat do shërbejnë dhe për promovimin e këtyre zonave për qëllime turistike. Konkretisht do të përfundojë projekti i rikualifikimit të plotë të shërbimeve të aksesit në zonën e Syrit të Kaltër në Sarandë. Ndërtohet një qendër e re multifunksionale në zonën e re të mbrojtur të lumit Vjosa, me vlerë mbi 50 milionë lekë. Një tjetër investim i rëndësishëm do jetë Ecopark Ulza, që do të ofrojë një tjetër projekt në zonën e mbrojtur rreth liqeneve të Ulzës, por dhe promovimin dhe zhvillimin e turizmit në atë zonë. Një projekt që bëhet për herë të parë i rikualifikimit të pikave hyrëse dhe dalëse për vizitorët në Republikën e Shqipërisë, konkretisht: Qafë Thanë, Kapshticë, Kakavijë, Rinas, Muriqan, Hani i Hotit, Morinë për të mirëpritur dhe përcjellë vizitorët me ndjesinë e mirë estetike të Shqipërisë turistike”, përfundoi Kumbaro.
/r.e/























