VARSHAVË, 13 nëntor /ATSH-PAP/- Polonia dhe vendet fqinje besojnë se sanksionet që do të miratohen nga ministrat e jashtëm të BE-së të hënën janë të pamjaftueshme, njoftoi sot kreu i Byrosë së Sigurisë Kombëtare të Polonisë.
Polonia ka luftuar për të frenuar fluksin e migrantëve nga Lindja e Mesme dhe afrikanë që kalojnë në Poloni nga Bjellorusia. Qeveria polake deklaroi se ata janë ftuar në Bjellorusi nga presidenti i vendit, Alexander Lukashenko, me pretendimin se do të jenë në gjendje të jetojnë në BE.
Një zyrtar i lartë i BE-së u tha gazetarëve në Bruksel se krerët e diplomacisë së vendeve të BE-së do të miratojnë të hënën kritere të reja për sanksione kundër Bjellorusisë në lidhje me krizën e migrantëve në kufirin polako-bjellorusi.
Shefi i Byrosë së Sigurisë Kombëtare, Paweł Soloch tha se, Polonia do të kërkojë të zgjerojë paketën e sanksioneve, e cila, sipas raporteve jozyrtare, do të prekte 30 individë dhe kompani të përfshira në kontrabandën e migrantëve.
“Ne jemi të interesuar të forcojmë sanksionet pasi, nga pikëpamja jonë dhe nga këndvështrimi i vendeve fqinje, ato janë të pamjaftueshme”, tha Soloch.
Ai shtoi se shpallja e sanksioneve të reja ishte një lëvizje në drejtimin e duhur dhe se përkundër gjithçkaje, ky ishte një progress i madh”. //a.i/





















