Ballina Flash

Sako: Ruajtja e mjedisit kontribut i të gjithëve

TIRANË, 11 nëntor/ATSH/ Në qytetin bregdetar të Durrësit po zhvillohet sot një aksion pastrimi, në kuadër të Planit të Veprimit për pastrimin rrënjësor të Shqipërisë, që do të përfshijë të gjithë vendin.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tha sot se “vazhdojmë aksionin e pastrimit dhe eliminimit të të gjitha pikave të jashtëligjshme të grumbullimit të mbetjeve”.

Ditën e sotme aksioni i pastrimit është përqendruar në parkun e madh natyror të Katundit të ri, ku ka 116 ha pyje halorë.

“Pjesë e pastrimit është edhe gjiri i Lalëzit ku po punojnë ndërmarrjet tona. Pastrimi është detyra jonë e përditshme, por ruajtja e mjedisit është një kontribut i të gjithëve”, shprehet Sako.

Kryebashkiakja Sako bën të ditur se gjatë këtij aksioni kanë bashkëbiseduar edhe me bizneset e zonës për zgjidhjen më efikase rreth evadimit të mbetjeve.

Plani i Veprimit për pastrimin rrënjësor të Shqipërisë nisi të dielën, më 7 nëntor në Vlorë dhe do të përfshijë të gjitha qytetet e vendit.

/k.s/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMisioni i ”SpaceX” drejt ISS-së pas vonesave të shumta
Artikulli tjetërInva Mula dhe vajza e saj mesazh sensibilizues për sigurinë rrugore