TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ “Është shumë e rëndësishme lufta kundër korrupsionit, ngado që ai mund të vijë”, u shpreh senatorja amerikane e Iowa, Joni Ernst në një intervistë televizive gjatë vizitës në Shqipëri.
E pyetur për situatën politike në Shqipëri dhe për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha si dhe për krizën në PD, ku Berisha kërkon largimin e Lulzim Bashës pas përjashtimit nga grupi parlamentar dhe rimarrjen e drejtimit të partisë, Ernst u shpreh se, “është disi e vështirë tani në spektrin politik shqiptar. Shikoni Shtetet e Bashkuara. Edhe ne kemi ndasitë tona politike, por në SHBA kemi gjetur rrugë për të bashkëpunuar e kapërcyer ndasitë dhe është e rëndësishme për të gjetur atë çka na bashkon si një komb, si parti politike, sesa të vazhdojmë përçarjen. Unë inkurajoj këtë si një zgjidhje që vjen nga Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme për të luftuar korrupsionin, kudo që ai mund të vijë. Ne jemi totalisht kundër korrupsionit, por partitë politike duhet gjithashtu të gjejnë mënyra për të bashkëpunuar në të mirë të Shqipërisë. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme. Të gjithë kemi këndvështrime të ndryshme politike, por pjesa e rëndësishme është të gjejmë se çfarë na bashkon, në mënyrë që të ecim përpara në drejtimin e duhur, drejtim të cilin vendi juaj e gjeti 30 vite më parë. Kështu që, është e rëndësishme që Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdojnë të punojnë së bashku për këto çështje”.
E pyetur për qëllimin e vizitës në Shqipëri, Ernst u shpreh se, “jam shumë e lumtur që jam këtu. Mikpritja ishte e jashtëzakonshme nga qeveria shqiptare, nga populli shqiptar. Së pari, ishte shumë e rëndësishme për mua të vizitoja refugjatë afganë të strehuar në Shqipëri dhe për të parë nëse janë mirë dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve që ata kanë. Ju jemi shumë mirënjohës për këtë. Gjithashtu, për të inkurajuar edhe bashkëpunimin ushtarak apo ekonomik me Shqipërinë. Të gjitha këto çështje janë shumë të rëndësishme për ne”.
E pyetur për vizitën në Shëngjin ku takoi refugjatët afganë, Ernst theksoi se, “pamë se pjesa më e madhe e afganëve të strehuar në Shqipëri duan të vazhdojnë drejt Shteteve të Bashkuara që është e rëndësishme edhe për ne. Këta refugjatë qëndruan në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë luftës 20-vjeçare në Afganistan kundër terrorizmit. Kështu që është e rëndësishme që ne të qëndrojmë në krah të tyre. Dhe Shqipëria është një partner tepër i mirë i Shteteve të Bashkuara dhe ju jemi mirënjohës që qeveria juaj dhe populli shqiptar u doli zot që t’i mirëpresë këta refugjatë për t’i strehuar dhe ushqyer. Ne jemi shumë mirënjohës. Por, shpresojmë që t’i zhvendosim afganët drejt SHBA-së sa më shpejt të jetë e mundur”.
E pyetur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ernst tha se, “unë shpresoj që ne të vijojmë ngushtësisht bashkëpunimin strategjik dhe ndaj është tepër e rëndësishme që unë si senatore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të tregoj mbështetjen time ndaj Shqipërisë për t’ju falënderuar për mikpritjen e jashtëzakonshme që keni treguar ndaj partnerëve afganë, por edhe për nxitjen e këtyre marrëdhënieve. Jo vetëm në aspektin ushtarak, që mendoj se është tepër e rëndësishme, por edhe lidhjeve në fushën e biznesit, bashkëpunimi në fushën energjetike dhe ne po shohim që kompani amerikane po punojnë me ato shqiptare. Kështu që, është e rëndësishme që ne të vazhdojmë me këtë aleancë, sepse shohim influenca të papërshtatshme që vijnë nga Kina, që vijnë nga Rusia. Ndaj, është e rëndësishme që ne të qëndrojmë të lidhur ngushtësisht dhe e inkurajoj këtë”.
E pyetur për situatën në Ballkanin Perëndimor, ku po rritet një krizë e re në Bosnjë, ndërkohë që Serbia dhe Kosova nuk kanë arritur ende një marrëveshje finale ndërmjet dy shteteve dhe çfarë mund të bëjë ky rajon që të arrijë objektivin që është anëtarësimi në Bashkimin Europian, Ernst tha se, “unë mendoj se është shumë e rëndësishme që Bosnja apo Kosova të vijojnë të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë jam shumë e njohur me Kosovën. Vendlindja ime Ioëa është në një program bashkëpunimi midis Gardës Kombëtare të Iowa dhe Kosovës. Dhe duke vijuar këto bashkëpunime, ne mund të gjejmë një rrugë për të vijuar përpara. Gjithashtu, është e rëndësishme për Bosnjen që të kundërpërgjigjet ndaj influencave të papërshtatshme që vijnë nga Rusia apo nga Serbia apo vende të tjera. Por, është shumë e rëndësishme që këto vende të vijojnë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që të vijojmë përpara. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë nëpërmjet NATO-s dhe në Kombet e Bashkuara do ta gjejnë rrugën për të vijuar përpara me aleatët tanë në Ballkan”.
/r.e/























