TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Institucioni i Presidentit të Republikës kërkoi sot një fond shtesë prej 36 milionë lekësh në buxhetin e vitit 2022 për digjitalizimin e arkivës.
Në seancën dëgjimore në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për pr/buxhetin 2022, Këshilltari i Presidentit, Petraq Milo në fjalën e tij u shpreh se, “nuk kemi asnjë vërejtje apo koment në lidhje me buxhetin, qoftë operativ apo kapital. E vetmja gjë që kemi pasur dhe kemi ngritur dhe vjet dhe kemi gjetur miratimin e të gjitha palëve në fakt, qoftë mazhorancës, apo të opozitës së atëhershme, gjë që ne e kemi vlerësuar, është në lidhje me projektin e digjitalizimit të Presidencës”.
“Projekti digjital është i domosdoshëm, jo vetëm për këtë mandat aktual, por edhe për mandatet e ardhshme. Është një investim i duhur. Institucionet e tjera e kanë kryer dhe ne gjykojmë që nuk ka pse të mos miratohet, pavarësisht se nuk na u miratua vjet, ndoshta edhe për arsye të COVID-it. Por gjykojmë që këtë vit është e domosdoshme të na miratohet ky fond, që është 36 milionë. Sigurisht nuk do alokohet që në fillim 36 milionë, mund të jetë në 3 faza. Kështu që ne do të dëshironim që ky investim të gjente rrugën e miratimit”, tha Milo.
Ndërsa relatori, deputeti Alqi Bllako u shpreh se, “buxheti i Presidencës për vitin 2022 është në nivelin 248.92 milionë lekë të rinj, duke shënuar një rritje të lehtë me 420 mijë lekë në raport me buxhetin fillestar të miratuar për vitin korrent 2021. Kemi një rritje prej 700 mijë lekë në raport me buxhetin e vitit 2021 për paga dhe sigurime shoqërore. Dhe një rritje prej 280 mijë lekë sa i përket zërit mallra dhe shërbime, duke arritur në nivelin e 121 milionë lekë. Ndërkohë që nuk kemi ndryshim të zërit të investimeve sa i përket buxhetit të këtij institucioni”.
“Sa i përket kërkesës që ka ardhur nga Institucuoni i Presidentit të Republikës në lidhje me digjitalizimin e arkivës, duke qenë se është një institucion i një rëndësie të veçantë, dhe arkiva pranë këtij institucioni mendoj se është një arkivë sensitive, ne jemi në parim pro për ta mbështetur këtë projekt. Pa diskutim që ka qenë një projekt i prezantuar gjatë tre viteve të fundit. Edhe vitin e kaluar ka gjetur mbështetjen e këtij komisioni, pavarësisht se më pas nuk ka marrë miratimin e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave”, tha Bllako.
/r.e/























