TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali reagoi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së Shoqatës së Bashkive për shpalljen antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.
Spiropali u shpreh se, “Gjykata Kushtetuese certifikoi Zgjedhjet Vendore të 30 qershorit 2019”.
Sipas ministres Spiropali, ky është “një vendim që dëshmon se demokracia nuk çmontohet dot për interesa të partive, as nuk është plaçkë që i jepet në duar atyre që institucionet i përdorin për interesa politike dhe private pa asnjë lidhje me të mirën e përbashkët”.
“Zgjedhjet e 30 qershorit garantuan sovranitetin e popullit dhe siguruan ligjshmërinë e institucioneve”, theksoi ajo.
“Parimi i periodicitetit, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, zgjedhjeve të lira, parlamentarizmi, si struktura të forta në themelin e një shoqërie të lirë, nuk u tjetërsuan, kjo falë edhe forcës që demonstroi shembulli i qytetarisë nga Veriu në Jug duke zgjedhur të parën Shqipërinë”, nënvizoi Spiropali.
/r.e/












