Ballina Flash

Evropiani 2022 për U-19, Shqipëria mirëpret ndeshjet e grupit 7

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Shqipëria po bëhet gati të presë një tjetër event të rëndësishëm evropian. Bëhet fjalë për organizimin e ndeshjeve kualifikuese të vlefshme për Kampionatin Evropian 2022 për Kombëtaren e meshkujve U-19.

Kombëtarja shqiptare U-19, e drejtuar nga Armando Cungu është shortuar në të njëjtin grup me Francën, Malin e Zi dhe Serbinë. Të gjitha ndeshjet e grupit 7 do të zhvillohen në vendin tonë në datat 10, 13 dhe 16 nëntor.

Ndeshja e parë e Shqipërisë do të jetë ajo kundër Francës më 10 nëntor, duke nisur nga ora 14:00 në stadiumin “Egnatia” në Rrogozhinë. Kuqezinjtë do të luajnë tre ditë më vonë ndaj Serbisë në po të njëjtën orë në Elbasan, teksa ndeshja e fundit do të jetë ajo ndaj Maqedonisë së Veriut më 16 nëntor në ora 16:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Federatës së Futbollit i janë besuar një sërë aktivitetesh të rëndësishme të nivelit evropian këtë vit, siç kanë qenë ndeshjet e turit paraeliminator të Champions League 2021/2022, organizimi i 6 ndeshjeve të turit paraeliminator të Futsal Champions League 2021/2022, organizimi i ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian 2021/2022 për Kombëtaren e femrave U-17, apo një nga eventet më të mëdha të UEFA-s, mbledhja e Komitetit HatTrick në Tiranë më 30 shtator.

Një tregues ky mjaft i qartë i punës së mirë që FSHF-ja ka treguar ndër vite, duke dëshmuar seriozitet dhe besueshmëri te qeveria e futbollit evropian.

Kalendari i ndeshjeve për Grupin 7:

10 nëntor: Francë – Shqipëri , “Egnatia – Rrogozhinë”, ora 14:00

10 nëntor: Maqedoni e Veriut – Serbi , “Elbasan Arena”, ora 12:00

13 nëntor: Serbi – Shqipëri , “Elbasan Arena”, ora 14:00

13 nëntor: Francë – Maqedoni e Veriut , “Egnatia – Rrogozhinë”, ora 12:00

16 nëntor: Shqipëri – Maqedoni e Veriut , “Elbasan Arena”, ora 14:00

16 nëntor: Serbi – Francë , “Egnatia – Rrogozhinë”, ora 14:00

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOP26 – 19 vende zotohen të ndalojnë financimin e karburanteve fosile jashtë vendit
Artikulli tjetërVendimi i Kushtetueses për zgjedhjet, Balla: Ato vendosën popullin mbi partitë