TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se në projektbuxhetin për vitin 2022 nuk është cenuar ligji i buxhetit për financimin e koncesioneve, duke e llogaritur fondin në rreth 3 % e të ardhurave tatimore të mbledhura nga 5 % që është tavani i përcaktuar.
Gjatë diskutimit të projektbuxhetit për vitin 2022 në Komisionin e Ekonomisë, Ibrahimaj tha se për vitin 2022 është parashikuar ulje e pagesës për kontratat koncesionare dhe Partneritetit Publik Privat (PPP).
“Janë 13 kontrata koncesionare me financimin e shtetit. Për vitin 2022 është parashikuar ulje e pagesës për këto kontrata”, tha Ibrahimaj, duke iu përgjigjur opozitës, e cila ngriti shqetësimin në komision për rritje të shpenzimeve që do të shkojnë kryesisht për pagesat e PPP-ve.
Ministrja i kërkoi opozitës të mos përfshijë investimet e qeverisë te kontratat koncesionare.
Sipas saj, projekti i Fiskalizimit nuk ka qenë asnjëherë kontratë koncesionare.
“Është një investim i shtetit shqiptar në dixhitalizim për rritjen e eficiencës së administratës tatimore, i vlerësuar në çdo raport ndërkombëtar që do të ulë kontaktin e biznesit me administratën, do të rris eficiencën e kontrolleve dhe të ardhurat në buxhet”, sqaroi Ibrahimaj.
Ish-ministrja e Financave, Anila Denaj shpjegoi se janë 13.8 miliardë lekë pagesa për 13 kontratat koncesionare.
“Nga këto janë 5 miliardë lekë për infrastrukturën rrugore nga të cilat 3 miliardë lekë për Rrugën e Arbrit. Janë 4 miliardë lekë për sektorin shëndetësor ku përfitojnë 800 mijë qytetarë dhe janë 2 miliardë lekë për skanimin në dogana, ku pagesa bëhet pavarësisht nëse biznesi nuk skanon. Kjo është një kontratë e bërë në kohën e PD”, së tha Denaj.
Më tej, ministrja Ibrahimaj iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për detyrimet e prapambetura, ku vuri në dukje se qeveria është e angazhuar fort për uljen e detyrimeve të prapambetura.
“Qeveria shqiptare është angazhuar fort që detyrimet e prapambetura të ulen nga viti në vit. Ne nuk i fshehim detyrimet e prapambetura dhe ato që mund të vijnë si kontigjencë. Jemi qeveri e hapur e transparente që publikon çdo lloj detyrimi që mund të vijë në të ardhmen dhe merr parasysh në planifikimet e veta buxhetore të gjithë detyrimet që mund të vijnë si nga Arbitrazhi edhe nga Gjykata për të Drejtat e Njeriut në planifikimet e risqeve që mund të vijnë“, tha Ibrahimaj.
Ministrja u shpreh se nga viti në vit stoku i detyrimeve të prapambetura ka ardhur në ngadalësim.
Sipas saj, në vitin 2019 stoku i detyrimeve të prapambetura ishte 28 miliardë lekë, në 2020-ën 23.8 miliardë lekë dhe në vitin 2021 pritet të jetë edhe më i ulët stoku i detyrimeve.
“Përgjegjësia në menaxhimin e financave publike është e plot dhe këtë e kanë treguar jo vetëm shifrat, por edhe mënyra se si arritëm të përballojmë dy kriza, tërmetin dhe pandeminë. Kemi konsoliduar financat publike nga viti 2016 deri në vitin 2019, duke shkuar në balancë primare pozitive, duke ulur borxhin nga viti në vit. Kjo na bëri të përballojmë dy goditjet”, tha ministrja.
/j.p/r.e/






















