Ballina Aktualitet

Suedia, mbështetëse e vendosur e integrimit evropian të Shqipërisë

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti sot ambasadoren e Suedisë në Tiranë, Elsa Håstad.

Ambasadorja Håstad e uroi Nikollën për zgjedhjen në postin e Kryetares së Kuvendit dhe i përcolli gjithashtu përgëzimet e kryetarit të parlamentit të Suedisë, Riksdag-ut, Andreas Norlén, si edhe ftesën për një vizitë zyrtare në parlamentin suedez.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe  të bashkëpunimit politik me Suedinë.

“Shqipëria i është mirënjohëse Suedisë për mbështetjen e plotë për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, çeljen e negociatave dhe mbajtjen sa më shpejt të Tryezës së parë Ndërqeveritare. Suedia është mbështetësja më e madhe e të drejtave të grave e vajzave në Ballkanin Perëndimor dhe një kontribuese e emancipimit politik e shoqëror të vendeve të rajonit”, vuri në dukje Nikolla.

Nikolla vlerësoi gjithashtu solidaritetin dhe kontributin e Suedisë në konferencën e donatorëve, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, si edhe mbështetjen e qeverisë suedeze për Strategjinë për Zhvillim dhe Bashkëpunim të Shqipërisë, mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Zhvillimin dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në fushën e administratës publike, politikat mjedisore, promovimin e inovacionit, sipërmarrjes, bizneseve të reja etj.

Kryetarja Nikolla dhe ambasadorja Håstad biseduan edhe mbi disa aspekte të bashkëpunimit dypalësh midis Kuvendit dhe Riksdag-ut, rritjen e shkëmbimeve parlamentare dhe bashkëpunimin e grupeve parlamentare të miqësisë.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRushaj-Tabaku me përfaqësues të NDI: Ndryshimet kushtetuese me rëndësi
Artikulli tjetërPaketa fiskale 2022 i paraqitet biznesit