Ballina Flash

Sigurohen edhe 200 mijë vaksina kundër gripit sezonal


TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Janë siguruar edhe 200 mijë vaksina kundër gripit sezonal për vaksinimin falas në qendrat shëndetësore të të moshuarve me sëmundje kronike dhe grave shtatzëna.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila u shpreh se këto vaksina janë shpërndarë në të gjithë qendrat shëndetësore në vend.

“Kemi siguruar edhe 200 mijë vaksina antigrip, të cilat janë shpërndarë në të gjithë qendrat shëndetësore në vend, për vaksinimin e të moshuarve me sëmundje kronike dhe grave shtatzëna falas, për mbrojtjen e shëndetit të grupeve më të rrezikuara nga gripi, në sezonin e dimrit që është në prag”, tha ministrja.

Në videon e publikuar nga ministrja shihen të moshuar që po kryejnë vaksinën kundër gripit sezonal.

“I bëj apel moshave të treta të marrin vaksinën kundër gripit sezonal sa më parë. Pasi janë mosha që kanë edhe sëmundje të tjera të bartura”, tha një e moshuar. Ndërsa një tjetër e moshuar u shpreh se, “do të bëj vaksinën e gripit, pasi nuk dua të rrezikoj jetën”.

Të tjerë të moshuar theksuan se vaksina kundër gripit sezonal është për mbrojtjen e shëndetit dhe do ta bëjnë vaksinën patjetër.

“Pse të mos e bëjmë, falas e kemi. Ata që neglizhojnë dhe nuk e bëjnë vaksinën i bëjnë dëm shëndetit të tyre”, tha një tjetër e moshuar.

Vaksinimi kundër gripit dhe vaksinimi antikovid në të gjithë vendin, janë garancia më e mirë për të ulur shtrimet në spital dhe fatalitetet, si pasojë e komplikacioneve nga viruset gjatë dimrit.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Mbi 5 milionë viktima në mbarë botën
Artikulli tjetërKredia e re për sektorin e ndërtimit 4.3 miliardë lekë