TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Banka e Shqipërisë bën të ditur se ndërtimi është sektori më i kredituar i ekonomisë për muajin shtator të këtij viti.
Zhvillimet pozitive në sektorin e pasurive të paluajtshme kryesisht në Tiranë e bregdet, si rezultat i investimeve në infrastrukturë, por edhe zbatimi i Programit të Rindërtimit, që ka përfshirë tre qarqe të rëndësishme të vendit, kanë nxitur sektorin e ndërtimin në një fazë të re rritjeje.
Sipas BSH-së, bankat tregtare dhanë për sektorin e ndërtimit 4.3 miliardë lekë kredi, duke regjistruar kështu nivelin më të lartë në tre vitet e fundit.
Krahasuar me një vit më parë, kredia e re për ndërtimin është rritur me 50 %. Edhe pesha specifike e këtij sektori në huadhënien e re është rritur ndjeshëm në 20.25 %, nga 12.3 % që ka qenë për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
/a.a/r.e/























