Ballina Ekonomi

Rindërtimi, 20 miliardë lekë nga buxheti në 2022-in

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2022, rindërtimi pas tërmetit të fortë që goditi vendin tonë nëntorin e 2019-ës merr një mbështetje prej 20 miliardë lekësh.

Puna për ndërtimin e shtëpive të reja, rikonstruksionin e shtëpive të dëmtuara, banesave kolektive, shkollave të reja, infrastrukturës e nisur që prej vitit 2020 pritet të përfundojë gjatë vitit që vjen.

“Në shtator të vitit 2022 nuk do të ketë më asnjë gjurmë të tërmetit”, deklaroi gjatë kësaj jave zv.kryeministri Arben Ahmetaj, njëkohësisht ministër Shteti për Rindërtimin dhe Programin e Reformave.

Rindërtimi vazhdon çdo ditë në të katër programet, banesat individuale, grantet e rikonstruksionit, objektet arsimore dhe themelet e para të pallateve të ndërthurura me infrastrukturën e lagjeve të reja.

Ndërkohë, 1 mijë familje u futën në banesat e tyre të reja të rindërtuara brenda vitit 2020. Në total qeveria shqiptare planifikon të shpenzojë nga buxheti i shtetit 65 miliardë lekë përgjatë tre viteve 2020-2022.

Nga rindërtimi llogariten 500 mijë banorë që përfitojnë drejtpërdrejtë, qoftë nëpërmjet aksesit të fëmijëve në shkolla e kopshte shumë më të mira, qoftë nëpërmjet aksesit në infrastrukturë, qoftë nëpërmjet aksesit në shërbimin shëndetësor.

Fondi i Rindërtimit për 9 mujorin e vitit 2021 është realizuar në masën 19.99 miliardë lekë, nga rreth 20.3 miliardë lekë të planifikuara për këtë periudhë. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak1.7 miliardë lekë investime në infrastrukturën ujitëse dhe kulluese
Artikulli tjetërShpenzimet kapitale, 51.3 miliardë lekë gjatë 9-mujorit