TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim Këshilltarin e Shtetit dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Wang Yi.
Kryeministri ndau pamjet nga ky takim i zhvilluar në selinë e Kryeministrisë në Tiranë.
Vizita e Ministrit Wang Yi është e para e një kryediplomati të Republikës Popullore të Kinës që prej vitit 2011.
Kjo vizitë përkon me 50-vjetorin e kthimit të Kinës në OKB, për të cilin Këshilltari i Shtetit dhe ministër i Punëve të Jashtme, Wang Yi, ka nënvizuar kontributin e veçantë të Shqipërisë, ndërsa ka përcjell falënderimet e mirënjohjen e qeverisë dhe popullit kinez.
Në kuadër të nismës së përbashkët “Një Brez, Një Rrugë”, Shqipëria ka nënshkruar me Kinën një memorandum që synon promovimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare, si dhe rritjen e investimeve dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke përmirësuar mekanizmin e bashkëpunimit për investime nën kuadrin e komisionit të përbashkët për bashkëpunim ekonomik ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës.
/m.m/r.e/













