TIRANË, 29 tetor/ATSH/ 16 banesa janë dëmtuar nga lëkundjet e tërmetit të ditës së sotme me epiqendër në qarkun e Dibrës.
Ministria e Mbrojtjes ka dhënë sot informacion mbi pasojat e lëkundjeve të tërmetit në qarkun e Dibrës.
Ministria e Mbrojtjes thekson se, “emergjencat civile pranë Prefekturës së Dibrës, në bazë të informacioneve të marra nga grupet e punës në terren njoftojnë se nga tërmeti i orës 08:34 janë evidentuar deri më tani disa banesa të dëmtuara pjesërisht dhe në strukturë”.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, “janë evidentuar 5 banesa në njësinë administrative Fushë-Bulqizë, 3 banesa në njësinë administrative Ostren, 3 banesa në njësinë administrative Gjoricë, 1 banesë në njësinë administrative Shupenzë, 1 banesë në njësinë administrative Bulqizë, 1 banesë në njësinë administrative Zerqan”.
Ministria e Mbrojtjes nënvizon se, “puna po vijon për të identifikuar të gjitha pasojat”.
“Ndërsa nga lëkundjet e orës 12:23 me magnitudë 3.6 të shkallës Rihter me epiqendër rreth njësisë Kastriot Dibër, nuk ka raportime për dëme në banesa, përveç 2 banesave të vjetra dhe të amortizuara, shoqëruar me çarje muresh”, shton MM. /a.a/r.e/














