ROMË, 29 tetor /ATSH-DPA/ – Papa Françesku do të presë presidentin amerikan Joe Biden, i cili është kreu i dytë katolik i shtetit në historinë e SHBA.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, takimi me Biden dhe bashkëshorten Jill në Vatikan do të zhvillohet sot në orën 12:00, dhe do të fokusohet në luftën kundër pandemisë, ndryshimet klimatike dhe luftën globale kundër varfërisë.
Pasdite, Biden do të takohet edhe me përfaqësues të qeverisë italiane.
Më vonë, ai do të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron për të qetësuar gjërat pas përçarjes së fundit në marrëdhëniet me aleatin e tij për krizën e nëndetëseve.
Udhëtimi i dytë jashtë shtetit i Biden që kur ai mori detyrën në janar e çon atë së pari në Romë, ku ai planifikon të marrë pjesë në samitin e G20-s.
Nga e hëna, ai planifikon të marrë pjesë në Konferencën Botërore të Klimës COP26 në Glasgou, Skoci.
Është e paqartë nëse audienca e Biden me papën do të përfshijë çështjen e diskutueshme të abortit.
Qeveria e Bidenit mbështet të drejtën e abortit, e cila është në kundërshtim me qëndrimin e Kishës Katolike./ /os/






















