Ballina Ekonomi

Interesat e borxhit kanë ardhur në rënie

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se eurobondi që pritet të emetohet në tregjet ndërkombëtare në muajin nëntor me vlerë 700 milionë euro do të ndihmojë në përmbushjen e nevojave financiare për realizimin e reformave ekonomike.

Gjatë diskutimit në seancë plenare të pr/ligjit “Për Eurobondin”, ministrja tha se dy krizat që goditën vendin, tërmeti i 2019-ës dhe pandemia ndikuan në rritjen e borxhit publik. Por sipas saj, borxhi shkoi për të financuar investime dhe projekte, që përkthehen në rritje ekonomike.

Ibrahimaj tha se edhe raporti i FMN-së vlerëson se rritja ekonomike e Shqipërisë në 6-mujorin e parë të vitit është më e larta në rajon.

Duke folur për borxhin publik, ministrja Ibrahimaj tha se rreth 83 % e borxhit sovran të Shqipërisë është afatgjatë.

“Borxhi i brendshëm përbën 54 % të totalit ose 697 miliardë lekë, ndërsa borxhi i jashtëm përbën 45.6 ose 585 miliardë lekë. Interesat e borxhit kanë ardhur në rënie. Në vitin 2020 Shqipëria kishte rreth 34.39 miliardë lekë interesa, ose 2 % më pak se një vit më parë. Ndërkohë në krahasim me vitin 2010 ishin 17.3 % më pak. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së menaxhimit të borxhit, ku rëndësi të veçantë kanë daljet në tregun e huaj të kapitalit, pasi norma e interesit është më e ulët sesa në tregun vendas”, deklaroi ministrja.

Më tej, Ibrahimaj vuri në dukje se emetimi i Eurobondit vjen në përputhje me objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit Publik, të hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

“Instrumenti pritet që të ketë një madhësi rreth 700 milionë euro dhe maturim 7-10 vite, në varësi të kushteve të tregjeve financiare ndërkombëtare. Aktualisht Ministria e Financave dhe Ekonomisë është drejt fundit të përgatitjes së dokumentacionit. Jemi konsultuar me këshilluesit tanë ndërkombëtarë mbi kohën e përshtatshme për realizimin e transaksionit, për të siguruar rezultatet më të mira në terma çmimi dhe vëllimi, dhe po punojmë me intensitet që në fillim të muajit nëntor Shqipëria të dalë në treg”, theksoi ajo.
Ministrja shpjegoi se financimi i siguruar nga Eurobondi do përdoret për mbështetje të përgjithshme buxhetore, e cila do të alokohet në shpenzime publike për sektorë kyç si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura, si dhe në mbështetje të investimeve publike.

Sipas saj, investimet publike synohet të ruhen në nivelin 5 % të PBB. Ministrja informoi se një pjesë e Eurobondit do mbetet balancë në Thesar (TSA) për nevoja financimi gjatë vitit 2022.

“Pas emetimit të këtij Eurobondi, niveli i borxhit në valutë pritet të arrijë nivele rreth 50 % kundrejt stokut total të borxhit. Në terma afatmesme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë synon që të mbajë këtë tregues në nivelet 46-48 %. Kujtoj se aktualisht qëndrojmë nën kufirin 55 % të përcaktuar nga strategjia afatmesme e menaxhimit të borxhit publik e miratuar në bashkëpunim me FMN”, tha Ibrahimaj.

Ministrja u shpreh se prioritet mbetet forcimi i stabilitetit makroekonomik të vendit duke synuar rënien graduale të borxhit.

“Borxhi i qeverisjes qendrore pritet të arrijë në nivelin 80 % të PBB-së në fund të vitit, i ndikuar dhe nga emetimi i Eurobondit dhe disbursimi i disa mbështetjeve buxhetore që janë në proces.

Sipas draftkuadrit makro të finalizuar këto ditë, niveli i borxhit do t’i rikthehet trajektores rënëse duke nisur nga viti 2022, duke arritur nivelin e rreth 74.9 % e PBB në fund të vitit 2025. Këto parashikime janë në linjë dhe me pritshmëritë e organizatave ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN)”, deklaroi ajo.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBuxheti 2022, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miraton kalendarin 3-javor
Artikulli tjetërBraçe i kujton Bashës 21 Janarin: Veting penal për ata që vrasin