Xhaçka: Urgjente përballja me ndryshimet klimatike


TIRANË 25 tetor /ATSH-I.Vata/ Shqipëria është gati për programin e ri të bashkëpunimit me OKB për periudhën 2022-2026.

Kështu deklaroi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka gjatë fjalës së saj  në ceremoninë e 76-vjetorit të OKB dhe nënshkrimin e Programit të Ri të Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm 2022-2026.

“Kjo është pa dyshim një ditë e rëndësishme për të gjithë ne, sidomos për vende si Shqipëria të cilët shohin te kjo organizatë dhe në përgjithësi te format e angazhimit multilateral shpresën më të mirë për një botë paqësore, për një rend të bazuar tek ligjet dhe rregullat ndërkombëtare”, tha Xhaçka.

Xhaçka shtoi se, “unë besoj se pikërisht Shqipëria dhe rajoni ynë janë prova më e qartë e vlerës së madhe që ka bashkëpunimi multilateral i asaj që mund të arrihet nëse punohet së bashku. E besoj se pikërisht në këtë drejtim, pra në drejtim të promovimit të bashkëpunimit të luajtjes së një roli të rëndësishme rajonal, si një faktor paqeje dhe stabiliteti, si një eksportues sigurie, si një aktore serioze që përpiqet të punojë fort për të nxitur dhe konsoliduar urat e bashkëpunimit, Shqipëria ka arritur të krijojë një rekord serioz dhe bindës. Është një politikë e jashtme dhe një rol rajonal që bazohet në një lexim të drejtë dhe praktik të asaj që është filozofia mbi të cilën janë themeluar Kombet e Bashkuara. Një lexim i drejtë dhe praktik i Kartës Themeluese të OKB-së, pasi vetëm në qoftë se çdo vend do të bëjë atë që mundet dhe atë që ka në dorë për të ruajtur paqen dhe sigurinë për të zgjidhur problemet dhe konfliktet për të vënë të parat si prioritete të tij, sociale kulturore mund të përmbushet ai që është misioni themelor i OKB-së”.

Xhaçka tha se, “është kjo arsyeja se kjo organizatë pjesë e së cilës jemi të gjithë ne, u krijua 76 vjet më parë mbi gërmadhat e gjakderdhjen e pafund të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë kuadër ne kemi përshëndetur nismën e OKB-së për një përqasje të re ndaj rajonit tonë me fondin për Ballkanin Perëndimor, i cili ka në qendër të veprimtarisë së vet nxitjen e dialogut, forcimin e besimit dhe realizimin e pajtimit. Shqipëria ka qenë ndër vendet e para në rajon që e ka mbështetur këtë nismë, ashtu siç ka përqafuar nga ana tjetër me po aq seriozitet dhe përkushtim edhe programin e OKB-së për mijëvjeçarin dhe është fuqimisht e angazhuar në zbatim të Axhendës 2030 për realizimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm”.

“Të gjitha këto marrin në këtë vit padyshim domethënie të posaçme së pari në një dimension global sepse pandemia COVID-19, armiku i padukshëm që ka tronditur njerëzimin dhe që ka detyruar botën të harrojë normalitetin na kujton se bota po përballet gjithmonë dhe më shumë me sfida të cilat janë shumë të mëdha dhe komplekse dhe nuk njohin as kufij dhe as marrëdhënie diplomatike dhe mund të luftohen vetëm nesh punojmë të gjithë bashkë, nëse koordinojë përpjekjet tona me organizata si OKB. Pandemia ishte vetëm një ndoshta më dramatikja dhe e dukshmja, por vetëm një nga sfida që ka bota ku jetojmë që na prekin të gjithë dhe sa kush nuk mund t’i luftojë i vetëm. Sepse po aq urgjente është përballja me ndryshimet klimatike, që janë një gjëmë që i kërcënohet botës me shpejtësi dhe dramacitet ndoshta më të ulët se pandemia, por që nga viti në vit bëhen më të prekshme dhe më shqetësuese. Apo nevoja për të rigjetur dialogun dhe bashkëpunimin për sa i përket nevojës për të luftuar ekstremizmin për të respektuar të drejta e njeriut dhe veçanërisht për të ruajtur paqen sigurinë dhe stabilitetin në një botë që sot duket më e pasigurtë dhe më e paparashikueshme se kurrë”, tha ajo.

Xhaçka shtoi se “arsyeja dytë pse ky është një vit i veçantë është tërësisht shqiptare, pasi këtë vit Shqipëria me një mbështetje masive fitoi për herë të parë që nga dita e anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara të drejtën për një mandat në Këshillin e Sigurimit. Është pa dyshim një arritje e jashtëzakonshme për një vend si Shqipëria, një arritje prestigjioze, që tregon se çfarë pjekurie ka arritur diplomacia shqiptare dhe që njeh rolin konstruktiv të vendit tonë për sa i përket çështjeve të sigurisë, të stabilitetit dhe të zhvillimit, por mbi të gjitha është një mundësi, një mundësi për një vend të vogël që zakonisht e ka të vështirë të ndikojë apo të bëjë të dëgjohet zëri i tij në arenën globale që të shtrojë para botës disa ide, disa zgjidhje për probleme që na shqetësojnë të gjithëve. Ide e zgjidhje që burojnë në fakt nga eksperienca jonë në çështje si gratë, paqja dhe siguria, lufta kundër radikalizmit të dhunshëm, apo nevoja për të respektuar të drejta e njeriut, ku Shqipëria pa dyshim ka shumë për të thënë, apo dhe për çështje si ajo e klimës ku ndoshta s’kemi ende një rekord të qartë arritjesh por jemi të vetëdijshëm për nevojën për të bërë diçka dhe për këtë arsye kemi vendosur të bashkojmë forcat me vende të tjera që ndajnë të njëjtin shqetësim për të marrë stafetën për këtë çështje prej tyre dhe për t’ia kaluar atë në fund të mandatit tonë një tjetër vendi partner”.

“Sot kemi dhe një arsye tjetër për të përshëndetur OKB dhe praninë e saj në Shqipëri, pasi në bashkëpunim me këtë zyrë institucionet tona kanë përpiluar programin e ri të bashkëpunimit për zhvillim të qëndrueshëm për periudhën 2022-2026, i cili do t’i shërbejë vendit në kuadër të forcimit dhe sundimit të ligjit, promovimit të të drejtave të njeriut, mbrojtjen e mjedisit dhe mbështetjen e reformave ekonomike dhe shoqërore duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zbatimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe axhendës 2030. Unë jam besimplotë që programi i ri i bashkëpunimit do të orientojë edhe më mirë ndërtimin e partneriteteve strategjike me organizmat e OKB-së për të përballur me sukses sfidat kryesore kombëtare, si dhe për të eksploruar mekanizma të rinj dhe të larmishëm financimi në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe përfshirjes sociale, në rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe të gjelbër, si dhe qeverisjes efektive që ka në qendër njeriun, sundimin e ligjit dhe barazinë gjinore”, përfundoi ajo. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.