BSH: Rritje e kredive për bizneset

TIRANË, 25 tetor /ATSH/ Bankat rritën shkallën e miratimit të aplikimeve për kredi nga bizneset në tremujorin e tretë të vitit.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, rritja e kreditimit erdhi nga lehtësimi i standardeve të kreditimit për bizneset që u nxit nga perceptimi i bankave për rrezik më të ulët për situatën aktuale ekonomike e perspektivën e saj, si edhe për gjendjen financiare të bizneseve.

Sipas informacionit që bankat kanë raportuar në Vrojtimin e Aktivitetit Kreditues, të kryer nga Banka e Shqipërisë, raporti i kredive të refuzuara ndaj totalit të aplikimeve për kredi nga ana e bizneseve u raportua në rënie në tremujorin e tretë të vitit.

“Rënia e shkallës së refuzimeve për bizneset u nxit nga historiku i marrëdhënieve të biznesit me bankën, statusi i kredive aktuale të bizneseve, si edhe nga pasqyrat financiare të tyre. Kjo politikë reflektoi edhe lehtësimin e standardeve të kreditimit për bizneset, që, sipas bankave, vijuan lehtësimin në tremujorin e tretë të vitit 2021”, thekson BSH-ja.

Ndërkohë standarde të lehtësuara kreditimi u raportuan në të gjitha segmentet e madhësisë së biznesit.

Po ashtu, standardet u lehtësuan në të dyja llojet e përdorimit të kredisë: atë me qëllim financimin e investimeve dhe atë për mbulimin e nevojave për likuiditet.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.