Komisioni i Jashtëm miraton marrëveshjen me BERZH

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Komisioni për Politikën e Jashtme, në drejtimin e kryetares Mimi Kodheli, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi miratoi në mbledhjen e sotme projektligjin ““Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a., (OSHEE) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e OSHEE-së për reagimin ndaj krizës së pandemisë COVID-19″.

Të pranishëm në komision për paraqitjen e projektligjit ishin Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjetikës, si edhe Ardian Çela, administrator i OSHEE-së. Për komisionin projektligjin e relatori deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako.

Zëvendësministri Beqja dhe administratori Çela, lidhur me marrëveshjen e garancisë që synohet të ratifikohet përmes këtij projektligji, bënë me dije se në qendër të projektligjit është marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin e OSHEE-së për reagimin ndaj krizës së pandemisë COVID-19.

Huaja arrin shumën 70 milionë euro, që i garanton kompanisë likuiditetin e nevojshëm dhe stabilitetin ekonomiko-financiar, i nevojshëm në raport me dinamikat e paraqitura përgjatë periudhës pandemike.

Huaja kërkonte edhe garancinë e Republikës së Shqipërisë, që sigurohet përmes miratimit të këtij projektligji.

Projektligjin e mbështeti edhe relatori Alqi Bllako.

Në përfundim të diskutimeve, komisioni e miratoi me shumicë votash projektligjin. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.