Ballina Bota

BERLIN – OBSH: Forcim i sistemit global shëndetësor kundër epidemive

BERLIN, 25 tetor /ATSH-AA/ – Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri sot thirrje për forcimin e sistemit global shëndetësor për të luftuar më efektivisht kundër epidemive që mund të shfaqen pas COVID-19.

“Asnjë institucion ose vend nuk mund ta bëjë i vetëm këtë. Për këtë arsye ne përdorim termin ‘mendje e përbashkët’, në mënyrë që të kuptohet qëllimi i objektivit tonë”, tha Ghebreyesus.

“Rrjeti i OBSH-së do të mbledhë shkencëtarë, shpikës, politikanë, ekspertë të shëndetësisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në mbarë botën. Mendimet e paraqitura nga ekspertët e fushave të ndryshme do të shpejtojnë aktivitetet diagnostikuese kundër pandemive”.

“Vendet dhe shoqëritë me rrjedhën e informacionit të saktë mund të parandalojnë rreziqet shëndetësore në rritje dhe mund të shpëtojnë jetë”, tha Ghebreyesus.

“Rrezikun epidemik e nxisin edhe zhvillime të tilla, si urbanizimi, pakësimi i pyjeve dhe ndryshimi i klimës”, shtoi ai.

Kreu i OBSH-së theksoi se teknologjitë e reja ofrojnë mundësi që pandemitë të parashikohen, të diagnostikohen dhe të parandalohen më herët.

Sipas tij, shpëtimi i jetës duke përfituar nga fuqia e teknologjive të reja nuk është një mundësi, por domosdoshmëri./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBE reagon pas vendimit të Serbisë: Federata e Boksit e Kosovës të trajtohet njësoj si të tjerat
Artikulli tjetërOsmani: Shprehja “bukë, kripë e zemër” me Darkën e Lamës merr kuptim të thellë