Basha: Aksion politik me tre komisione hetimore

TIRANË 23 tetor /ATSH-I.Vata/- Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot se “komisioni hetimor për zgjedhjet është i domosdoshëm për të penguar përsëritjen e gërshetimit të partisë, shtetit, krimit dhe oligarkisë si një nyje në fytin e shqiptarëve”.

Në një konferencë për mediet, Basha tha se “në aksionin e saj politik në nisje të parlamentit, ndër të tjera Partia Demokratike ka kërkuar ngritjen e 3 komisioneve hetimore, një komision hetimor për masakrën zgjedhore, një komision hetimor për inceneratorët e mafies së dhe një komision hetimor për çështjen Becheti”.

“Siç e keni parë, Komisioni Hetimor për Masakrën Zgjedhore është ngritur, dhe pavarësisht përpjekjeve për ta sabotuar atë, vijon dhe ne do ta çojmë deri në fund zbardhjen e asaj që ndodhi me votën e shqiptarëve, me qëllim krijimin e të gjitha kushteve të domosdoshme për të penguar përsëritjen lidhjes të shtetit, krimit dhe oligarkisë si një nyje në fytin e demokracisë shqiptare”, tha ai.

Basha tha se Komisionet hetimore për inceneratorët dhe Becchettin, mund të vonohen, por nuk pengohen dot.

“Ngritja e dy komisioneve të tjera, për inceneratorët dhe Bechetin, po vonohen momentalisht nga pakica në pushtet, me pretekste sa naivie, po aq acaruese për qytetarët që e dinë mirë se çfarë fshihet pas tyre. Megjithatë, mund të vonojnë ngritjen e tyre, por nuk e pengojnë dot atë. E nëse për mafien e inceneratorëve po kërkojnë riformulim të kërkesës tonë, në përpjekje për ta kthyer atë që duhet të jetë një komision hetimor, në një pseudo-grup pune për mjedisin, ndërkohë Rama shantazhoi jo më larg se dje krerët e bashkive për t’i çuar mbetjet te inceneratorët me pronarë offshore, për të furnizuar me paratë e qytetarëve llogaritë bankare në parajsat fiskale. Për komisionin Becheti, Edi Rama u tregua i prerë, duke na thënë se duhet ta harrojmë ngritjen e tij, sepse sipas Edi Ramës vendimi është i “mbuluar nga konfidencialiteti” dhe publikimi i tij dëmton interesat e Shqipërisë”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.