Manastirliu: Situata nga COVID-19 nën kontroll, vaksinimi arma e vetme

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu theksoi sot se “në Shqipëri situata mbetet e kontrolluar. Komiteti ka vendosur të mos ndryshojë masat, por sigurisht të rekomandojë vaksinimin si të vetmen armë që ne kemi për të  kufizuar përhapjen e infeksionit dhe për të patur një kontroll në hospitalizim dhe për të reduktuar fatalitetet”.

Në një intervistë televizive, Manastirliu tha se “Komiteti Teknik i ekspertëve dje ka patur një komunikim me publikun ku ka relatuar edhe përhapjen 2-javore ku ka një rënie të lehtë por rastet aktive janë të rritura. Që do të thotë dhe shpërndarja në bashki është rritur. Kemi 48 bashki që vijon, një rritje të virusit.  Ka ende qarkullim që është një qarkullim i lartë, por krahasuar me vendet e rajonit, por edhe me vende evropiane ne situatën e kemi nën kontroll”.

Lidhur me vaksinat Manastirliu tha se “të gjitha vaksinat veprojnë. Nuk do të kishim marrë asnjëherë vaksina që nuk do të ishin të certifikuara. Që prej fillimit të kontratave që ne kemi lidhur të përpjekjes që  ka bërë qeveria shqiptare për të garantuar në një kohë shumë të shpejtë  sepse të gjithë qytetaret kanë qenë me pritshmëri maksimale  për t’i patur vaksinat, ne kemi garantuar vaksinat e Pfizer, AstaZeneca, SinoVac dhe të Sputnik, Të gjitha këto janë vaksina të certifikuara, pra garantojnë efektivitet”.

“Ne e kemi garantuar furnizimin me Pfizer nga instrumenti Covax-it për t’u furnizuar me lloje vaksinash. Pse  nuk qenka  AstaZeneca kaq e mirë? Pse nuk është Coronavac apo Sinovak kaq të mira? Janë të gjitha të mira. Vetëm se sigurisht që për një arsye apo një tjetër qoftë dashamirëse apo dashakeqe në kuptimin e informacioneve të gabuara që japin çojnë vëmendjen e qytetarëve drejt një lloji vaksine që  mendojnë se është më efektive. Jo. Të gjitha vaksinat janë efektive. Ndryshe Komiteti nuk do t’i kishte rekomanduar. Janë rekomanduar nga Komiteti përpara se t’i blinte qeveria, ashtu sikur komiteti i vaksinimit rekomandoi dozat buster dhe qeveria i është përgjigjur duke rritur volumin e vaksinave si dhe uljen e moshës së vaksinimit +12 dhe +16 me sëmundje kronike gjithmonë me konsensusin e prindit”, nënvizoi Manastirliu.

Duke folur për buxhetin e vitit 2022 në sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, Manastirliu tha se “qeveria ka vendosur të rrisë masën e ndihmës ekonomike për familjet përfituese të ndihmës ekonomike me 10%. Ndërkohë që do të ketë një politikë për shenjëstruar për rreth 15 mijë familje që pas vlerësimit janë identifikuar me karakteristika ekonomiko-sociale që duhet të mbështeten më shumë dhe janë pikërisht familjet që kanë mbi 3 fëmijë deri në moshë 18 vjeç që janë pjesë e përfituesve të ndihmës ekonomike të cilëve do t’u dyfishohet ndihma ekonomike”.

“Ndërkohë që janë disa kategori që përfitojnë nga programi social që janë fëmijët jetimë, gratë e trafikuara dhe të dhunuara të cilave si kategori do t’u trefishohet ndihma ekonomike. Kjo është paketa me politika që prek të gjitha familjet me ndihmë ekonomike, por edhe me politika të shenjëstruara për kategori që vlerësohen që duhen të mbështeten akoma më shumë nga buxheti i shtetit”, shtoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “patjetër që shëndetësia ka fokusin e vet dhe buxheti i shëndetësisë vjen me një  buxhet të aplikuar për rritjen e vaksinave duke iu përgjigjur të gjithë skenarëve që mund të ketë dhe që mund të na sjelli viti tjetër. Pra do të  garantojmë furnizimin me vaksina në bazë të planit tonë kombëtar dhe duke përfshirë edhe dozën e tretë të vaksinës që u miratua edhe nga Komiteti i Ekspertëve dhe sigurisht edhe hapjen e  grup moshave të vaksinimit”.

“Ndërkohë që një tjetër politikë e re, por tashmë e konsoliduar në vijim të mbështetjes së mjekëve, infermierëve dhe atyre të cilëve në fakt përgjatë këtyre viteve kanë treguar se dinë të punojnë me shumë përkushtim dhe profesionalizëm, por që ne e kemi mbajtur këtë zotim për rritjen e pagave përgjatë gjithë këtyre viteve, por edhe gjatë vitit 2022 do të ketë një rritje pagash për mjeket dhe infermierët me 6% duke filluar nga 1 korriku”, – tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “nëse krahasojmë infektimet me rastet e fataliteteve sigurisht që do të themi se vaksinimi ka ndikuar shumë. Nëse ne nuk do të kishim  vaksinuar 1 milionë qytetarë me 1 dozë dhe 2 doza ne sot do të ishim në kushte që do të kishim shumë më shumë infektime dhe shumë më shumë fatalitete”.

“Nëse ne do të kemi qytetarë që nga nesër shkojnë dhe vaksinohen, ne do të kemi përmirësim të situatës dhe te përballojmë dimrin. Unë jam e shqetësuar sepse ajo çfarë relatojnë ekspertët është që dimri do të sjellë një rritje të infeksioneve. Mbajtja e maskës në ambientet  brendshme është me detyrim, por vaksinimi i kombinuar me masa janë esenciale”, – tha Manastirliu.

 

/k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.