Ballina Flash

Studentët e Arkitekturës, kontribut për restaurimin e vlerave muzeale të Gjirokastrës

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Në kuadër të funksionimit të taskforcës ndërinstitucionale për monumentet e kulturës, një grup studentësh të degës së Arkitekturës kryen rilevimin e 30 godinave karakteristike, në lagje të ndryshme të qytetit të Gjirokastrës.

Gjatë një takimi të zhvilluar me këta studentë, kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi vlerësoi punën e bërë nga studentët e Arkitekturës, të cilët po japin një kontribut të vlefshëm për restaurimin e vlerave arkitektonike dhe muzeale të qytetit të Gjirokastrës.

“I falënderoj pafund, sepse është një mbështetje e madhe për ne, por edhe një ndihmesë me vlerë në profesionin e tyre. Kjo është një nismë që porsa ka filluar. Me financimet e qeverisë, bashkisë, investitorëve privatë dhe bashkëpunimin me banorët do të rijetëzojmë vlerat dhe resurset e Gjirokastrës si një qytet i përbotshëm i trashëgimisë kulturore.
Gjirokastra, me kalanë, rrugët me kalldrëm, muret dhe çatitë prej guri dhe ballkonet e drunjta krijojnë një arkitekturë unike”.

Si një qendër e rëndësishme administrative, ekonomike dhe kulturore nëpërmjet këtyre investimeve synohet të ruhen vlerat e objekteve historike, si atraksione gjithmonë edhe më tepër të preferuara në shërbim të turistëve. Një qytet muze me trashëgimi kulturore të pasur, Gjirokastra është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe vizitohet nga rreth 80 mijë vizitorë vendas dhe të huaj në vit.

/k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Vaksinimi i jep fund lockdown-it më të gjatë në botë
Artikulli tjetërManastirliu nga Shkodra: Të gatshëm për dozën e tretë të vaksinës antikovid, nesër vendimi