TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka organizuar sot takimin ndërinstitucional për të diskutuar për plotësimin e vakancave të krijuara nga Vetingu në sistemin e Drejtësisë.
Takimi bëri bashkë Shkollën e Magjistraturës, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, OPDAT dhe EURALIUS për të diskutuar një plan veprimi të qartë, për të plotësuar vakancat e krijuara nga Vetingu në sistemin e Drejtësisë.
“Rritja e numrit të pranimeve në Shkollën e Magjistraturës si institucioni i vetëm kushtetues për formimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj konsiderohet si domosdoshmëri, por pa cenuar cilësinë e këtyre pranimeve”, tha ai.
Po ashtu, Manja shton se “si ministër i Drejtësisë dhe nikoqir i takimit i garantova për përgjegjësitë e qeverisë në këtë proces sipas ligjit dhe ramë dakord për një takim tjetër sa më shpejt të jetë e mundur, por në një format më të gjerë të aktorëve të tjerë të sistemit të drejtësisë dhe me propozime konkrete”.
/j.p/r.e/













