Balluku-PD-së: Latë një kufomë energjetike. Arkëtonit 48% të faturimit, ne mbi 96%

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku duke iu drejtuar opozitës nga foltorja e Kuvendit theksoi se, “latë një kufomë energjetike, të cilën ne e rikthyem në jetë përmes një strategjie të mirëfilltë për rimëkëmbjen e sektorit”.

Duke iu përgjigjur akuzave të deputetit të Partisë Demokratike Bujar Leskaj, për krizën energjetike që po përjeton vendi, Balluku tha se “nga e njëjta kaskadë që prodhojmë edhe ne sot, ju blinit 2 teravatë për të plotësuar të gjitha humbjet dhe vjedhjet që kishit. Ju arkëtonit 48 % të faturimit, ne arkëtojmë mbi 96 % të faturimit”.

“Sot në Shqipëri ka 1.1 mln kontrata abonentë, kontrata të lidhura nga të cilat 500 mijë janë aktive dhe nga këto mbi 187 mijë subvencionohen nga shteti”, tha Balluku, duke shtuar se “ky është ndryshimi mes nesh dhe jush”.

Ministrja Balluku u shpreh se “Republika e Shqipërisë prodhon vetëm energji hidrike në 100 % të saj. Hidrocentrali i parë që ka nisur nga operimet në ’71 dhe më pas i dyti në ’78 dhe tjetri në ’85 janë të hidrocentraleve bazë të kaskadës së Drinit. Dikur u shtua edhe Ashta, por sigurisht është një koncesion që ne e marrim me një çmim të paracaktuar. Përveç këtyre 4 hidrocentraleve nuk ka ndryshuar asgjë në sektorin hidroenergjetik të Shqipërisë.
Hidrocentralet e vogla që janë dhënë me shumicë, më shumë e ngarkojnë sistemin tonë, krijojnë probleme sesa ofrojnë prodhim”.

“Në vitin më të mirë hidrik 2010 kur në qeveri keni qenë ju, janë prodhuar 7 teravatë nga kaskada e Drinit, por ju keni blerë në import gati 2 teravatë. Pse? Se keni 45 % humbje. Për çdo teravat që prodhohej, ju humbnit 45 %. Ndërkohë që humbjet janë ulur me 20 % dhe kemi zona që me humbje shkojnë 4 % aty ku janë ndërtuar stacionet e reja, aty ku është investuar”, shtoi Balluku.

Ndërsa duke folur për tunelin e Llogorasë, Balluku tha se “sot se dosjet janë transparente mund t’i merrni, t’i dërgoni në SPAK dhe të bëni atë që ju duhet të bëni si opozitë dhe për sa kohë ka një diskurs konstruktiv askush nuk ka frikë dhe askush nuk ju ndalon ju që të kontrolloni çdo lloj procesi”.

“Vetëm tuneli i Thirrës ka nisur me një shumë që ishte diku tek 110 milionë dhe ka përfunduar me 280 milionë euro. Pra si është më mirë, është ky ligj që nga fillimi vendos një çmim limit, i cili është ai çmim limit me të cilin do të ndërtohet vepra, apo ti lëmë në dorë çdo ministri, drejtori, inxhinieri, supervizori dhe çdo kompanie që ta rrisin çmimin dyfish, trefish, katërfish sipas nevojës që do lindë rrugës, sepse nuk ka pasur studim në ligj që ta fuste në kornizën që sot është vendosur?”.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.