TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj u bëri thirrje investitorëve të huaj të shtojnë kapitalet e tyre në Shqipëri, teksa renditi disa nga reformat e ndërmarra nga qeveria që lehtësojnë të bërit biznes.
Gjatë aktivitetit të organizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj, FIAA, ku u prezantua “Libri i Bardhë 2021-2025”, i cili vjen në një moment të rëndësishëm, që përkon me prezantimin e programit të ri qeverisës të kësaj mazhorance, Ibrahimaj garantoi për rritje të bashkëpunimit.
Sipas ministres, “Libri i bardhë”, i cili është konsoliduar tashmë si “një platformë” ku investitorët e huaj dhe autoritetet shtetërore diskutojnë së bashku mbi sfidat e klimës së të bërit biznes në vend, vjen si një guidë e rrugës së gjatë që do të përshkohet duke bashkëpunuar dy palët.
“Pavarësisht goditjeve të forta që mori ekonomia shqiptare nga dy krizat e njëpasnjëshme, tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia COVID-19, Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash për një klimë më të mirë biznesi, në lehtësimin e tregtisë, ku është ulur ndjeshëm kosto dhe koha e shërbimeve për bizneset, është rritur cilësia e shërbimeve, si dhe ka patur përmirësime ligjore në frymën e standardeve ndërkombëtare”, tha Ibrahimaj.
Ministrja informoi se në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit në vend, tashmë janë miratuar një sërë ligjesh, si ligji “Për sipërmarrjen e investimeve kolektive”, “Për tregun e kapitaleve”, “Për shërbimin e pagesave”, “Për tregjet financiare në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, “Për startup-et”, “Për zhvillimin e SME-ve”, etj. Këto ligje tha ajo, pritet të krijojnë kuadrin e nevojshëm ligjor për lulëzimin teknologjisë financiare, për funksionimin e tregut të kapitaleve, për mbështetjen e SME-ve, etj.
Duke iu referuar raportit më të fundit të OECD, ministrja Ibrahimaj u shpreh se Shqipëria ka përmirësuar performancën në 10 nga 15 dimensionet, si promovimi dhe lehtësimi i investimeve, kuadri i politikave tregtare, sistemi i edukimit, kushtet e punësimit, përafrimi me standardet e BE-së në sektorin e energjisë dhe politikën tatimore.
“Ndërkohë që nga reformat që ka ndërmarrë qeveria gjatë viteve të fundit është arritur diversifikimi i aksesit në financa, rritja e përdorimit të teknologjisë dhe inovacionit përmes investimeve në kërkim nga ana e sektorit publik dhe bashkëpunimit biznes-akademi, përmirësimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si dhe mbrojtja e mjedisit përmes politikave gjithëpërfshirëse. Po ashtu progres është bërë edhe luftën kundër korrupsionit”, tha Ibrahimaj.
/r.e/




















