TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Sigurimet vullnetare këtë vit mbajnë një peshë më të lartë në tregun e sigurimeve.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për 8-mujorin 2021 sigurimet vullnetare sollën 40.8 % të primeve të shkruara bruto në tregun e jo-jetës, nga 37.7 % që ishte pesha e tyre një vit më parë.
Sipas raportit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-gusht 2021 arritën mbi 5 miliardë lekë, 26.49 % më shumë se në periudhën janar-gusht 2020. Edhe numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 15.31 % krahasuar me periudhën janar-gusht 2020.
Referuar AMF-së, në portofolat e “pronës, përgjegjësive dhe garancive”, të cilat gjatë periudhës janar-gusht 2021 siguruan mbi 2,463 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë “zjarri dhe dëmtime të tjera në prone” me rreth 62.99 %.
Në portofolin sigurimi nga “zjarri dhe forcat e natyrës”, gjatë periudhës janar-gusht 2021, vihet re një rritje prej 44.13 % e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 10.57 % e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-gusht 2020.
Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-gusht 2021, arritën në rreth 828 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 8.22 % në krahasim me periudhën janar-gusht 2020.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-gusht 2021, arritën rreth 904 milionë lekë, ose 29.8 % më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
/r.e/























