KINË – Xi: 230 milionë dollarë për biodiversitetin e vendeve në zhvillim

PEKIN, 12 tetor /ATSH-DPA/ – Kina do të financojë shpenzojë 1,5 miliardë juanë (230 milionë dollarë) për të ndihmuar vendet në zhvillim për mbrojtjen e biodiversitetit, deklaroi sot presidenti kinez, Xi Jinping.

Njoftimi erdhi pas një fjalimi në Konferencën e Biodiversitetit të OKB-së, që u zhvillua online dhe fizikisht në qytetin jugperëndimor kinez të Kunmingut.

”Kina do t’i vendosë paratë në një fond të biodiversitetit dhe po fton vendet e tjera të kontribuojnë”, tha Xi.

Xi premtoi se Kina do të rrisë përpjekjet për të parandaluar zhdukjen e specieve, përfshirë zgjerimin e rezervave të saj natyrore.

Kina është prodhuesi kryesor në botë i gazrave serrë dhe konsumatori më i madh i qymyrit.

Rreth 60 për qind e nevojave të saj në rritje të energjisë vijnë nga qymyri.

Në fjalimin e tij me video, Xi pranoi ndikimin e madh që kriza e klimës ka tek ekosistemet.

Ai tha se Kina do të zgjerojë kapacitetin e energjisë së rinovueshme duke përshpejtuar projektet e turbinave diellore dhe të erës.

Konferenca pesëditore e Biodiversitetit e OKB-së filloi të hënën, por shumica e punës po bëhet online për shkak të pandemisë koronavirus.

Takimi i kësaj jave, i njohur si COP15, do të pasohet nga negociata të mëtejshme në Zvicër në janar, para se të miratohet një strategji përfundimtare në një takim tjetër në Kunming nga 25 prilli deri më 8 maj.

OKB thotë se një milion lloje kafshësh dhe bimësh kërcënohen me zhdukje, më shumë se kurrë më parë në historinë njerëzore./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.