VJENË, 12 tetor /ATSH-DPA/ – Kancelari i ri austriak, Alexander Schallenberg theksoi qëndrimin e tij pro evropian në një deklaratë të qeverisë në parlament, pasi partia e tij konservatore në pushtet përpiqet të rimarrë veten nga një skandal korrupsioni, që rrëzoi paraardhësin e tij.
”Për çështjet që ngrihen që nga pandemia Covid-19 dhe konkurrenca ekonomike globale deri te kriza klimatike dhe flukset e migrimit, Bashkimi Evropian vazhdon të jetë korniza jonë qendrore e referencës dhe leva vendimtare politike për ne”, tha Schallenberg.
Ai do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për bisedime me presidentin e Këshillit të BE, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen.
Evropa ka përjetuar trazirat politike në Vjenë, që kur qeveria u zhyt në krizë javën e kaluar.
Prokurorët akuzuan kancelarin Sebastian Kurz se ka përdorur paratë e taksapaguesve në vitin 2016 për të blerë mbulim pozitiv në media dhe për të manipuluar sondazhet në favor të tij, në kohën kur ai ishte duke shërbyer si ministër i Jashtëm dhe shihej si një yll në ngjitje.
Kurz, i cili shpesh tërhoqi vëmendjen e Brukselit me kritikat e tij ndaj BE-së, dha dorëheqjen nga posti i kancelarit të shtunën në mbrëmje.
Schallenberg nuk i tha asgjë parlamentit në lidhje me hetimin kundër Kurz, as nuk njoftoi ndonjë plan për të luftuar korrupsionin politik./ a.jor.























