TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Pranueshmëria dhe mobiliteti i teknologjive digjitale po transformojnë bujqësinë dhe prodhimin e ushqimit.
Në mënyrë të veçantë, në sektorin e bujqësisë dhe ushqimit, përhapja e teknologjive të lëvizshme, shërbimet në distancë tashmë, po përmirësojnë aksesin e pronarëve të vegjël në informacion, inpute dhe tregje, duke rritur produktivitetin, përmirësuar zinxhirët e furnizimit dhe duke minimizuar kostot operacionale.
E tillë është edhe platforma ABA Online që shfrytëzon fuqinë e teknologjive digjitale për të pilotuar, përshpejtuar dhe shkallëzuar ide novatore me potencial të lartë dhe ndikim në bujqësi, duke transformuar zgjidhjet dhe shërbimet digjitale në të mira publike.
Fredi Llanaj fermer nga zona e Vlorës, thotë se është tashmë një përdorues i platformës digjitale dhe ka arritur të kryer marrëveshjen e parë tregtare online.
“Kam shitur një sasi prej 20 tonë shalqi duke u lidhur me një biznes nga Kosova. Përmes platformës online ne kemi lehtësi të konsultohemi, të marrim çmimet reale të tregut për prodhimet bujqësore dhe rrisim shitjet jo vetëm në tregun vendas, por edhe në eksporte”, tha Llanaj.
E krijuar në fillim të këtij viti, për të qenë platforma e qasjeve të reja, ABA Online, ka fuqizuar familjet rurale dhe frymëzuar sipërmarrjen e të rinjve në bujqësi. Lehtësisht e aksesueshme nga çdo smartfon, ABA online është interaktive dhe plotëson nevojat e fermerëve të vegjël shqiptarë në çdo hap të rritjes së biznesit të tyre.
Është themeluar si një iniciativë e Projektit për Përfshirjen Financiare të Fermerëve të Vegjël Shqiptarë (FiAS), mbështetur nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) dhe zbatuar në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. ABA online ofron informacion thelbësor për fermerët dhe bizneset duke ndikuar në këtë mënyrë në zinxhirin e vlerës.
/j.p/r.e/


















