Trajtimi i ri i antitrupave parandalon dhe trajton COVID-19

LONDËR, 11 tetor /ATSH-DPA/ – Një trajtim antitrupash, i zhvilluar nga gjiganti farmaceutik AstraZeneca, ka treguar aftësinë e tij për të parandaluar dhe trajtuar COVID-19, sipas të dhënave të reja.

AstraZeneca i paraqiti një kërkesë Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) javën e kaluar për autorizimin e përdorimit urgjent të AZD7442, që përbëhet nga dy antitrupa, si një trajtim parandalues.

Në të dhënat e reja të publikuara sot në mëngjes, AstraZeneca tregoi se AZD7442 ishte efektive në parandalimin e gjendjeve të rënda të sëmundjes te pacientët jo të shtruar në spital me COVID-19 të lehtë deri të moderuar, në krahasim me një placebo.

Studimi zbuloi se një dozë e vetme prej 600 mg AZD7442, e dhënë me injeksion në muskuj, arriti të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të rëndë të COVID-19 ose vdekjes nga çfarëdo shkaku me 50 për qind, kur krahasohet me një placebo, te personat që kishin qenë simptomatikë për shtatë ditë ose më pak.

Për ata që morën trajtimin brenda pesë ditëve nga shfaqja e simptomave të tyre, AZD7442 uli rrezikun e zhvillimit të COVID-19 të rëndë ose vdekjes me 67 për qind, në krahasim me një placebo.

Trajtimi është paraqitur si i përshtatshëm për ata që nuk mund të kenë një vaksinim të rregullt, të cilët reagojnë dobët ndaj vaksinave COVID-19 ose kushtet shëndetësore të të cilëve i vënë ata në rrezik të veçantë për gjendje të rënda të sëmundjes./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.