Ballina Aktualitet

Rama për televizionin spanjoll RTVE: Evropa është feja jonë

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ – Nëse flasim për një vend si Shqipëria, flasim për Edi Ramën, thotë gazetari i televizionit shtetëror spanjoll, RTVE, Jose’ Carlos Gallardo, i cili i mori një intervistë kreut të qeverisë shqiptare.

”Kryebashkiaku i kryeqytetit, Tiranë, midis viteve 2000 dhe 2011, kryetari aktual i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe kryeministër i qeverisë që nga viti 2013. Për më shumë se 20 vjet, ai ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i evolucionit të një vendi që vazhdon të ndërmarrë hapa drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

RTVE: Shqipëria është një vend kandidat për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe ka mbështetjen e Spanjës. Presidenti i Komisionit ka thënë se ajo po i përmbush detyrat e saj, por si po i përshtatet Shqipëria kërkesave të Brukselit?

Rama: Nuk është aq për shkak të asaj që ne bëjmë, por për shkak të mënyrës se si ata po vendosin të vazhdojnë të punojnë me ne në rajon.

RTVE: Ndoshta duhet të heqim qafe disa perceptime ndaj asaj pjese të Evropës?

Rama: Sigurisht. Ne jemi vende që kemi ende shumë për të bërë për të përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ne meritojmë të ndërmarrim hapa të tjerë dhe të fillojmë negociatat zyrtare. Perceptimet kanë të bëjnë me të kaluarën, me komunikimin që nuk është ende i rrjedhshëm, por mund t’ju them se të gjithë po na thonë se ka një ndryshim të madh midis asaj që perceptohet dhe realitetit. Midis tyre, turistët spanjollë që udhëtojnë në Shqipëri, gjithnjë e më shumë në numër.

Sigurisht që ne duhet të vazhdojmë me reformat tona të modernizimit, me përmirësimin e qëndrueshëm të ekonomive dhe shoqërive tona, me ndërtimin e procesit institucional dhe, përfundimisht, me përparimin drejt përmirësimit të mjedisit ekonomik dhe social. Siç kam thënë, këto janë sfida për vendet që janë ende në mes të rrugës.

RTVE: Një tjetër shqetësim i BE-së në lidhje me Ballkanin Perëndimor është ndikimi në rajon i Rusisë dhe Kinës.

Rama: Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga kufij evropianë. Ne jemi si një organ i trupit evropian dhe, në të njëjtën kohë, jemi të izoluar nga i njëjti trup, diçka që nuk ka kuptim. As nuk është më e përshtatshme për sigurinë ose për të ardhmen e Evropës që kjo pjesë e trupit të mos jetë e integruar plotësisht dhe të jetë në një “zonë gri” ku mund të veprojnë aktorë të tjerë. Ne nuk jemi të shqetësuar me këto ndikime të mundshme sepse për ne Evropa është feja jonë. Një e ardhme në Bashkimin Evropian është opsioni që ne kemi zgjedhur lirisht. Në Shqipëri, ne jemi mesdhetarë, jemi ballkanas, jemi njerëz pasionantë, të cilët, ndonjëherë, kanë vështirësi të bien dakord për shumë gjëra. Por, ne të gjithë jemi dakord për një gjë: e ardhmja e fëmijëve tanë, dhe e fëmijëve të fëmijëve tanë, është në Evropë. Jo në Kinë. Jo në Rusi. Jo në Lindje.

RTVE: Tani për tani, ne jemi dëshmitarë të tensioneve të reja mes Kosovës dhe Serbisë, cila është analiza juaj e situatës?

Rama: Tensionet janë pjesë e një procesi. Ne nuk mund të presim që një proces paqësor të vazhdojë pa pengesa ose tensione. Lajmi i mirë këtu është se tensionet rriten dhe bien ndërsa të dyja palët vazhdojnë të flasin dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhjet e nevojshme për njerëzit. Nuk është si në të kaluarën. Ekziston një ndryshim i madh sepse tani ne kemi bashkëpunim rajonal, me takime të shumta. Sigurisht, Kosova është problemi i fundit i hapur dhe i pazgjidhur i trashëguar nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Dhe pa dyshim njohja e saj si shtet sovran i pavarur i Serbisë është kapitulli i fundit në historinë e dhimbshme jugosllave.

RTVE: Një nga çështjet kryesore është njohja e Kosovës si vend dhe në mesin e 27 anëtarëve të BE -së ka disa që nuk e njohin atë, mes tyre edhe Spanja.

Rama: Është e vërtetë, por ne e dimë mirë se pozicioni i Spanjës nuk ka të bëjë me ndonjë problem që lidhet me shqiptarët ose me vetë Kosovën, por me historinë e saj dhe problemet e brendshme. Edhe pse duhet të jemi shumë të qartë: nuk ka asnjë krahasim të mundshëm, në asnjë mënyrë, midis problemeve të brendshme të Spanjës, në lidhje me pavarësinë ose lëvizjet separatiste, dhe ndarjen e Kosovës nga Serbia.

RTVE: Sapo jeni takuar me presidentin e qeverisë spanjolle, a keni nënshkruar një marrëveshje?

Rama: Po, ishte vizita e parë zyrtare dhe ndihem mirë sepse mendoj se ka një potencial të madh në marrëdhëniet tona dypalëshe. Ka shumë admirim për atë që Spanja ka arritur. Ai është një model për mënyrën sesi ai ka qenë në gjendje t’i mbijetojë një të kaluare shumë të errët për t’u bërë një shembull i ndritshëm për të tjerët. Nga ana tjetër, do të doja të nënvizoja angazhimin e zotit Sánchez, i cili ka qenë dëshmitar i momenteve të tmerrshme për shkak të luftërave dhe konflikteve në rajonin tonë dhe që ka atë ndjeshmëri për ta mbështetur atë. Në fakt, ai dëshiron që Spanja të jetë më e pranishme në zonë dhe ky është një lajm shumë i mirë për ne./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Rekord fatalitetesh në Rumani
Artikulli tjetërDixhitalizimi i bujqësisë, platforma ABA online informacion thelbësor për fermerët dhe bizneset