TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla deklaroi sot se, kjo legjislaturë do të avancojë reformat që lidhen me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Në një në një bashkëbisedim me gazetarët, Nikolla u shpreh se, “prioritet kryesor i veprimtarisë së këtij parlamenti do të jetë patjetër procesi i avancimit të reformave që lidhen me procesin integrues të Shqipërisë”.
“Besoj do të jetë legjislatura që do të ndjekë edhe çeljen e negociatave dhe bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë për anëtarësim në BE”, tha Nikolla.
“Ashtu siç do të jetë legjislatura që do të avancojë reformën në drejtësi, reformën elektorale dhe një sërë reformash të tjera që janë të rëndësishme për shtetin e së drejtës, për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, për më shumë drejtësi sociale dhe për më shumë cilësi jete për qytetarët tanë”, u shpreh Nikolla.
Nikolla theksoi faktin se, “opozita i është kthyer parlamentit, është një lajm i mirë për jetën e parlamentit dhe unë e besoj që jeta parlamentare, sesionet parlamentare do të jenë shumë më të fokusuara në ato që janë problemet reale të vendit, po patjetër edhe parlamenti do të bëjë edhe detyrën e tij kryesore që është detyra e kontrollit të qeverisë për mënyrën sesa dhe si u shërben qytetarëve”.
Nikolla nënvizoi se, “kjo do të jetë një legjislaturë ku bashkëpunimi midis parlamentit të Shqipërisë dhe parlamentit të Kosovës do të marrë një rëndësi tjetër”.
Nikolla u shpreh se si kryetare e Kuvendit, “do të bëjë maksimumin jo vetëm për të qenë në lartësinë e detyrës, por për të mundësuar më shumë etikë, më shumë komunikim, më shumë transparencë. Më shumë dialog etik në të gjithë jetën e veprimtarisë së parlamentit. Patjetër që detyra e lartë, e cila më është besuar dhe jo përkatësia ime politike do të jetë udhërrëfyesi në gjithë veprimin tim në krye të parlamentit të Shqipërisë”.
“Besoj se çdo ditë e më shumë do të përforcohet dialogu i shëndetshëm dhe do të ruhet etika në të gjithë veprimin dhe në të gjithë sesionet parlamentare”, tha Nikolla.
“Edhe në komisione ne iu përgjigjëm opozitës pasi realizuam dhe verifikuam procesin e vaksinimit tek deputetët, për të pasur zhvillim të mbledhjes së komisioneve me prani fizike dhe besoj që kjo do të jetë, jo vetëm një aspekt i realizuar në kuptimin e kërkesës që erdhi nga opozita, por edhe një ogur i mirë për të përmirësuar gjithë komunikimin në jetën dhe veprimtarinë e komisioneve parlamentare”, tha Nikolla.
Kryetarja e Kuvendit bëri thirrje për vaksinim, “si rruga e vetme për të dalë nga kjo situatë e vështirë që është futur e gjithë bota, jo vetëm Shqipëria në luftë me COVID-19”.
E pyetur nëse ka një afat kur dëshiron që ta përmbyllë shtyrjen e afatit të organeve të Vetingut, Nikolla u shpreh se, “jam në krye të kësaj përgjegjësisë të lartë për të mundësuar dialogun dhe ndërveprimin, deri në votimin e ligjeve që gjykohen dhe marrin gjithë konsensusin në kuptimin e përputhshmërisë me Kushtetutën dhe me gjithë aktet e tjera”.
“Po është e vërtetë që edhe në kontaktet që kam pasur me përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së, është një kërkesë që vjen edhe prej partnerëve tanë që kanë qenë kryefjala e reformës në drejtësi. Por edhe një thirrje e bërë në ditën e parë të çeljes së punimeve të Kuvendit kur qeveria po merrte votëbesimin nga ministri i Drejtësisë, për nevojën që reforma në drejtësi ka, procesi tashmë i nisur i vettingut ka për të shtyrë afatin. Unë po jap këtu ndonjë afat të caktuar kohor, por po ju siguroj se kam të gjithë gatishmërinë për të ndërvepruar dhe për të filluar procesin e dialogut me opozitën”, theksoi ajo.
“Në informacionin që unë kam, edhe Alibeaj si eksponent i lartë i opozitës, por edhe si nënkryetar i parlamentit është shprehur që edhe opozita është e gatshme që të ofrojë konsensusin e saj për këtë proces të rëndësishëm të përmbylljes së procesit të Vetingut”, tha Nikolla.
E pyetur për krizën energjetike dhe rritjen e çmimeve, Nikolla tha, “sa kohë që ka momente krize, momente të vështira qofshin këto energjetike, qofshin që lidhen me rritjen e çmimeve, ndikojnë tek kushdo. Shkalla e ndikimit ndryshon, varion. Nuk është njësoj shkalla e ndikimit tek unë, e njëjtë me një familje që jeton në kushte të vështira ekonomike. Por, patjetër e tillë duhet të jetë dhe kthimi mbrapsht në kuptimin e vëmendjes. Në kuptimin që duhet të jetë një vëmendje shumë më e shtuar ndaj atyre njerëzve që në këto kushte, në kushte të një krize apo në kushte të vështirësia ekonomike impaktohen më shumë. Jam besimplotë që qeveria që ka detyrën për të menaxhuar këto situata dhe për t’iu përgjigjur sfidave që kjo situatë, që nuk po prek vetëm Shqipërinë, por po prek gjithë botën, gjithë Europën, do të jetë në lartësinë e detyrës. Sa më takon mua, do të bëjë gjithçka mundem nga pozicioni im që kam për të ndikuar sa më fort që shkalla e përgjigjes të jetë e duhura, brenda kuptohet mundësive që lejojnë kushtet ekonomike të Shqipërisë. Por të jetë e duhura dhe njerëzit që impaktohen më fortë nga kjo situatë të jenë njerëzit më të ndihmuar në këtë situatë”.
E pyetur sesi do ta caktojë Sali Berishën, Kuvendi sa i përket grupeve parlamentare, Nikolla tha se, “do të ketë vetëm referencën që lidhet me rregulloren e Kuvendit, e cila në nenin 15 pika thotë se çdo deputet deklaron me shkrim se në cilin grup do të bëjë pjesë, por më pas është vendimmarrja e grupit dhe deklarimi në frymë të rregullores që është grupi parlamentar, kryetarët e grupeve parlamentare të bëjnë listimin dhe deklarimin e anëtarëve të grupit. Dhe grupi parlamentar i PD e ka nxjerrë jashtë grupit të tij deputetin Sali Berisha. Sot Berisha funksionon si një deputet pa grup parlamentar. Dhe nuk është vetëm, janë 8 deputetë që funksionojnë si deputetë pa grup parlamentar”.
/j.p/r.e/













