TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili bëri të ditur sot gjatë një deklarate për shtyp se kriza energjetike që po deklarohet nga qeveria është një alibi për rritje çmimesh.
“Kriza e vërtetë është propaganda e Edi Ramës, që kërkon të justifikojë rritjen e çmimit për të mbushur arkën e boshatisur të shtetit. Rama 24 orë më parë deklaroi në Abu Dabi që Shqipëria do të bëhet eksportuese neto e energjisë dhe një ditë më pas deklaroi krizën energjetike. Shpërdorimi elektoral dhe korruptiv i vazhdueshëm i OSHEE por edhe i KESH e OST duhet hetuar deri në fund”, tha ai.
Sipas tij, luhatjet e çmimit në bursa janë fenomen i zakonshëm ndaj çdo shtet serioz ndjek situatën, menaxhon me kujdes burimet dhe ndërhyn financiarisht atëherë kur nevojitet, por nuk ndryshon çmimin sa herë lëviz çmimi në bursë.
“Rama është avokat vetëm i oligarkëve dhe është vetëm në krah të tyre dhe asnjë herë në krah të qytetarëve”, tha më tej Vasili. /a.a/























