Ballina Flash

Durrës, miratohet lista e përfituesve të ndihmës ekonomike për shtatorin

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Këshilli bashkiak i Durrësit miratoi sot listën e familjeve përfituese të ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok ndihmën ekonomike deri 6 % dhe fondi nga të ardhurat e bashkisë, për muajin shtator 2021.

Në mbledhjen e tij këshilli bashkiak u miratua gjithashtu ndryshimi i vendimit të këshillit bashkiak nr. 76, datë 28.06.2021 përsa i përket listës së përfituesve nga programi i procesit të rindërtimit për pallatin nr. 458, rruga “Bajram Tusha”, Durrës, i dëmtuar nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019.

Po ashtu u miratua përdorimi i fondit prej 3.600.000 lekë për objektin “Studim projektim për rikonstruksionin e rrugës “Adria” nga rotonda e urës së dajlanit deri tek rotonda pranë stacionit të trenit”, kursyer nga procedura e prokurimit me objekt “rikonstruksion rruga “Papa Klementi i dytë”.

Këshilli bashkiak Durrës miratoi prishjen e detyruar të godinës, që i përket shkollës së mesme “Naim Frashëri”,  të shkollës fillore, cikli i ulët (kopsht) Bizë, të shkollës 9-vjeçare dhe kopshti “Eftali Koçi”, të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”, të shkollës së mesme “Bernardina Qeraxhia” dhe të shkollës së mesme “Olsi Lasko”, të cilat do të rindërtohen nga e para.

Po ashtu u miratuan ndryshimet e VKB-së nr. 64, datë 07.07.2020 përsa i përket listës emërore të familjeve përfituese të grantit për rikonstruksionin e banesave të dëmtuara si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019, si dhe u miratuan ndryshimet përsa i përket ndryshimit të listave emërore të familjeve përfituese të grantit për rikonstruksionin e banesave të dëmtuara si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019, për shkak të ndryshimit të kategorisë së dëmit të shkaktuar.

Njëkohësisht u miratua lista e gjashtë e 38 subjekteve përfituese, të cilët do të përfitojnë masën e grantit të rindërtimit të banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, sipas projektit model, lista e përfituesve, që do të përfitojnë nga programi i procesit të rindërtimit për banesat individuale në njësitë administrative nr. 4 e 5, si dhe njësisë administrative Sukth, bashkia Durrës, të dëmtuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Durrësit u miratuan edhe një sërë vendimesh të tjera.

/k.s/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKursi i këmbimit, leku nënçmohet në raport me valutat
Artikulli tjetërGjiknuri në Korçë: Riorganizim i PS-së për sfidat e mandatit të tretë