TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi u shpreh sot se ka biseduar me homologun e tij austriak, Karl Nehammer gjatë takimit në Tiranë, pë ndihmë të mundshme në krijimin e skuadrës së Policisë Alpine.
“Me ministrin Federal të Punëve të Brendshme të Austrisë, Karl Nehammer, gjatë takimit të sotëm në Tiranë folëm edhe për asistencën që ata mund të na japin për të krijuar skuadrën e Policisë Alpine në Policinë e Shtetit”, u shpreh Çuçi.
Sipas tij, gjithmonë e më shumë zonat malore të Shqipërisë po preferohen nga turistët, përfshi edhe ata nga Austria.
“Alpet tona janë një destinacion mjaft i frekuentuar nga turistët gjatë gjithë vitit. Besoj se ka ardhur momenti që këtij realitet të ri të krijuar në këto zona t’i qasemi në një formë tjetër edhe përmes shërbimit policor”, theksoi ai. /j.p/























