Ballina Flash

Studimi amerikan, Brataj: Nuk zhvillojnë antitrupa persona që kanë infeksion me ngarkesë virale të ulët

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Kreu i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj ka sqaruar arsyet, pse disa njerëz të infektuar me koronavirus, nuk zhvillojnë antitrupa.

Duke iu referuar të dhënave të një studimi amerikan, Brataj thekson se, “nuk zhvillojnë antitrupa ata persona që kanë infeksion me një ngarkesë virale të ulët”.

“Pse jo të gjithë personat që kalojnë sëmundjen e COVID-19, nuk zhvillojnë antitrupa? Një studim i ri nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Infektive (CDC), i botuar në Emerging Infetcious Diseases, tregon se jo të gjithë ata që shërohen nga Covid-19, janë në gjendje të zhvillojnë antitrupa të veçantë. Studiuesit hetuan arsyet, duke analizuar mostra të dhjetëra personave”, tha Brataj.

“COVID-19, jo të gjithë zhvillojnë antitrupa pas shërimit. Studimi amerikan tregoi se jo të gjithë zhvillojnë antitrupa specifikë pas shërimit, dhe u vu re që ndodhte në moshat 10 vjet më të reja. Nuk zhvillojnë antitrupa ata persona që kanë infeksion me një ngarkesë virale të ulët”, thekson Brataj.

“Studimet serologjike u përqendruan në mungesën e antitrupave në gjak. Shkencëtarët, të udhëhequr nga virologu i Universitetit të Pensilvanisë Weimin Liu, studiuan 72 persona të shëruar dhe të rekrutuar në Universitetin e Alabama në Birmingham, Shtetet e Bashkuara. Nga grupi i kontrollit, vetëm dy persona nuk kishin simptoma: 13 shfaqën sëmundje të formës së lehtë, 48 shfaqën sëmundje të formës së mesme, ndërsa 9 prej tyre shfaqën sëmundje të formës së rëndë”, nënvizon Brataj.

Brataj shton se, “studiuesit kryen testet ‘Elisa’, një test specifik i vërtetuar për antitrupat kundër proteinës Spike, në mostrat e plazmës të mbledhura në kohën e pranimit të tyre për tu bërë pjesë e studimit dhe vizitave të kontrollit herë pas here. Rezultatet treguan se vetëm 46 nga 72 personat e testuar treguan se kishin  IgG, IgA (ose të dyja). Ndërsa 26 personat e tjer mbetën seronegativ dhe 36 % e tyre nuk zhvilluan antitrupa”.

Brataj tha se, “interesant është fakti se personat që nuk kanë zhvilluar antitrupa ishin mesatarisht 10 vjet më të rinj se ata që i kanë zhvilluar në grupin e kontrollit. Nuk ka përgjigje sistemike të antitrupave në organizëm në personat me ngarkesa virale të ulëta të verifikuara nga tamponet nazofaringeale”.

“Varianti ‘Delta’, përveç faktit se është më infektiv, është 6 herë më pak i ndjeshëm ndaj antitrupave të zhvilluar nga ata persona që kanë kaluar sëmundjen COVID-19 dhe 8 herë më pak i ndjeshëm ndaj antitrupave të krijuar pas vaksinimit”, thekson Brataj.

“Kjo është arsyeja pse do të bëhej dominues në një kohë kaq të shkurtër, sipas një studimi ndërkombëtar, të koordinuar nga Universiteti i Kembrixhit dhe botuar në revistën ‘Nature’. Sipas të dhënave, varianti ‘Delta’ është  sot përgjegjës për rreth 90 % të infeksioneve të reja në botë”, vijon Brataj.

“Përqindja rritet në mbi 99 % të rasteve të diagnostikuar në Evropë. Për më tepër, testet laboratorike kanë treguar se mutacioni ‘Delta’ infekton më shumë se të tjerët, sepse proteina Spike është më e aftë të lidhet me receptorët e qelizës, duke lejuar që virusi të replikohet më mirë”, përfundoi Brataj.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Arkivit të hapur” të GKA i shtohen veprat e artistëve bashkëkohorë shqiptarë
Artikulli tjetërCOVID-19 – Tre rajone të Greqisë Veriore në lockdown