Muzhaqi takim me Këshillin Kombëtar Rinor: Rol të rëndësishëm në hartimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi vlerësoi sot rolin e rëndësishëm që Këshilli Kombëtar Rinor ka në hartimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029.

“Shumë e gëzuar të vijoj nismën e ministres Evis Kushi, e cila krijoi Këshillin Kombëtar Rinor. Ky Këshill ka në përbërje të rinj, përfaqësues organizatash me fokus rininë, dhe përfaqësues nga institucionet qendrore e vendore përfshirë edhe Agjencinë Kombëtare të Rinisë, me qëllim konsultimin e politikave dhe strategjive për rininë”, tha ajo.

Muzhaqi siguroi se zëri i tyre do të vijojë të dëgjohet, ndërsa zgjodhi që të organizonte me këtë Këshill, takimin e parë si Ministre Shteti për Rininë dhe Fëmijët.

“Gjatë mbledhjes në COD, diskutuam për planet e qeverisë për rininë, si dhe rolin e rëndësishëm që Këshilli Kombëtar Rinor ka në hartimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029. Gjithashtu së bashku vendosëm mbi çështje të rëndësishme të rinisë lidhur me mbështetjen e mëtejshme të organizatave me fokus tek të rinjtë dhe njësive të vetëqeverisjes vendore”, tha Muzhaqi.

“Tashmë detyrat për takimin tonë të radhës u vendosën dhe jam e bindur që të gjithë anëtarët do të na përcjellin komentet, argumentet dhe pse jo edhe kritikat e tyre”, tha ajo.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.