COVID-19, Alimehmeti: Vala ‘Delta’ po thyhet në Shqipëri

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti u shpreh sot optimist se vala “Delta” e infeksioneve COVID-19, po thyhet në Shqipëri.
“Më 30 gusht 2021 kemi përllogaritur që piku i valës ‘Delta’ në Shqipëri do të arrihej ndërmjet datave 5 dhe 15 shtator 2021. Më 14 shtator pamë sinjalet e para të fillimit të rënies, me rënien për herë të parë të rasteve aktive (-147). Megjithatë, tashmë e kemi mësuar që duhet të presim të paktën një javë dhe idealisht dy javë për të qenë më të bindur për trajektoren. Sot, datë 23 shtator 2021, të gjithë indikatorët epidemiologjikë tregojnë qartë fillimin e rënies që javën e kaluar”, tha ai.
Duke detajuar indikatorët, Alimehmeti tha se “po bie mesatarja e rasteve të reja në bazë 7 ditore; po bie numri i rasteve aktive; po bie mesatarja e përqindjes së pozitivitetit të testimeve në bazë 7 ditore; po bie përhapja dyjavore e rasteve të reja për 100.000 banorë”.
“Kujdes tani miqtë e mi, sepse aksidente në mal ndodhin më shumë gjatë zbritjes se sa gjatë hipjes. Duhen edhe disa javë përpara se të zbresim plotësisht. Fatkeqësisht humbjet e jetës janë më të vonuara me 10-14 ditë në krahasim me rastet e reja dhe rënia e tyre do të fillojë në gjysmën e parë të tetorit, nëse rënia e rasteve është e vazhdueshme”, tha ai.
Deri atëherë, Alimehmeti tha se këshillat janë të thjeshta nëse nuk jeni të imunizuar. “Vaksinohuni nëse nuk e keni të kundraindikuar. Ruani distancën. Evitoni grumbullimet.  Shtrëngojmë dhëmbët edhe pak por vala ‘Delta’ ka filluar rënien e qartë”, tha ai. /m.m//a.a/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.