Programi i qeverisë Rama 3, Tabaku: 41 faqe propagandë e bezdisshme

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot në seancën plenare në Kuvend ku diskutohet programi i qeverisë Rama 3 se ai nuk ekziston.

“Në fund të ditës nuk kishim as program elektoral. 41 faqe të një propagande të bezdisshme, të dalë boje, pa asnjë thelb, pa asnjë vizion. Gënjeshtra bajate edhe për fakte të provuara botërisht”, e cilësoi Tabaku programin e qeverisë Rama 3.

“Shqipërinë reale shqiptarët e provuan e jetuan në lëkurë për 8 vite, po veçanërisht në 2 vitet e fundit. 2 fatkeqësi goditën vendin duke treguar fytyrën e vërtetë të Ramës e qeverisë, ku shqiptarët u lanë të vetëm e të braktisur u lanë në çadra në mëshirë të fatit, duke pritur që të vinte fushata elektorale që të bëhej ndonjë tender dhe të merrnin ndonjë shtëpi. Edhe shtëpinë para televizionit ia dhanë”, tha Tabaku.

“Fatkeqësia u vodh, u grabit, u përdor për vota. 125 milionë euro u ndanë pak ditë para zgjedhjeve duke shkelur me këmbë çdo normë, çdo parim e çdo standard normal të zgjedhjeve”, theksoi Tabaku.

“Ka pasur shumë raporte të OSBE/ODIHR ndër vite, por ky i fundit thoshte një të vërtetë të madhe, votat u blenë me paratë e buxhetit të shtetit”, shtoi ajo.

“Jo pak muaj larg tragjedisë së tërmetit, shqiptarët panë një tjetër propagandë të zhbëhej para syve shëndetësinë falas. Pandemia zbuloi të vërtetat që manekinët e Ramës ishin përpjekur për vite t’i tregonin shqiptarëve si realitet”, u shpreh Tabaku, e cila shtoi se, “Shqipëria nuk ia doli të mbështesë njerëzit në nevojë”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.